Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka udhëtuar për në Derby me synimin për tjetër fitore ndaj Britanisë së Madhe. Madje synohet fitore edhe më e thellë se në ndeshjen e parë.
Të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Kosova mposhti Britaninë e Madhe me rezultatin 30:22. Ndeshja e dytë është të shtunën prej orës 14:00 në Derby të Anglisë.
Ndeshjet i takojnë raundit promovues të kualifikimeve për “Euro 2026”. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve kalon në kualifikimet e rregullta për Kampionatin Evropian të vitit 2026.
Në pjesën e parë të ndeshjes në Prishtinë, Kosova kishte telashe për të shfaqur më të mirën. Dallimi pas 30 minutave lojë ishte dy gola. Por në pjesën e dytë hendbollistët e Kosovës dominuan plotësisht. Madje në dy raste kishin epërsi prej 13 golash që në fund u “shkri” në tetë gola.
Njëri prej më të mirëve te Kosova ishte portieri Haris Berisha. Ai i bëri plot 11 pritje. Shkëlqeu edhe kapiteni Valon Dedaj, që realizoi 11 gola nga 16 tentime.
“Kemi udhëtuar drejt Anglisë për ndeshjen e radhës. Do të mundohemi t’i përmirësojmë gabimet e ndeshjes së parë dhe të arrijmë një rezultat bindshëm më të mirë. Duam të festojmë në fund së bashku e më pas do të përgatitemi për pjesën finale të kualifikimeve”, ka thënë Berisha.
Ai sërish pritet të jetë prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova.
Përfaqësuesja e Kosovës në tri ciklet e kaluara ishte në fazën kryesore të kualifikimeve për Evropian. Për “Euro 2026” ka rënë në fazë parakualifikuese, por tashmë është në rrugë të mirë për të kaluar në kualifikimet kryesore.
Ndeshja në Derby, për Britaninë e Madhe do të jetë e para në Angli që nga viti 2012. Kjo do të bëjë që britanikët të jenë të motivuar dhe ta synojnë përmbysjen. Madje britanikët e kanë vlerësuar historike ndeshjen ndaj Kosovës, për faktin se për herë të parë janë në këtë fazë garash.
“E dimë se Kosova është një nivel para nesh sa i përket rangimit, por është nivel që duam ta arrijmë. Janë ndeshje që duhet t’i luajmë nëse duam ta rritim nivelin. Është hera e parë që jemi në këtë fazë, por shpresojmë të kemi rezultate të mira. Nëse luajmë më të mirën, çdo gjë është e mundur. Fakti se luajmë në shtëpi do të jetë një avantazh dhe shpresojmë në përkrahje nga tribunat”, ka thënë trajneri i Britanisë së Madhe, Ricardo Vasconcelos.
Hendbolli nuk është sporti më i zhvilluar në Britani të Madhe. Por Kosovës i duhet paraqitje e fuqishme për të shënuar tjetër fitore dhe për të mos u dhënë shpresa vendasve.