Pasi ka vuajtur në pjesën e parë, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka dominuar plotësisht në pjesën e dytë për fitoren ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 30:22. Ndeshja e zhvilluar të mërkurën në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë i ka takuar raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026.
Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve kalon në kualifikimet e rregullta. Ndeshja e dytë dhe vendimtare zhvillohet të shtunën prej orës 14:00 në Derby të Anglisë. Kosova është favorite e madhe për avancim tutje, por këtë ka pasur telashe ta dëshmojë në pjesën e parë të ndeshjes në Prishtinë.
30 minutat e parë ishin të barabartë me dy përfaqësueset që kishin epërsi. 13:11 ishte rezultati pas pjesës së parë. Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Lojtarët e Kosovës kanë dominuar plotësisht dhe kanë krijuar epërsi bindëse. Në minutën e 48-të dallimi në rezultat ishte 13 gola, 28:15. Pritej që epërsia të shkonte mbi 15 gola por kjo nuk ndodhi. Britanikët gradualisht u afruan në rezultat, kryesisht falë rënies në lojën e Kosovës. Dhe në fund rezultati ishte 30:22, që e lë të hapur sfidën e dytë.
Kapiteni Valon Dedaj ka udhëhequr Kosovën me 11 gola nga 16 tentime. Haris Berisha i kishte 11 pritje dhe kështu dha kontribut të madh për fitore. Shtatë gola nga dhjetë tentime i kishte Kushtrim Ninaj, ndërsa aloja tjetër, Matej Thaqi i kishte katër gola nga shtatë tentime. Katër gola, por nga nëntë tentime i kishte Arbios Mushkolaj. Te Britania e Madhe, gjashtë gola nga 12 tentime i shënoi Sebastian Edgar. Pesë gola nga tetë tentime i kishte Joshua Max Plumridge. Kosova në tri edicionet e kaluara ishte në kualifikimet e rregullta. Tani ka rënë në fazë parakualifikuese, por është afër që të kalojë në fazën kryesore kualifikuese.