Kombëtarja e Kosovës në hendboll, ashtu siç edhe pritej, ka pësuar humbje nga Gjermania me rezultat të thellë, 14:30.
Kosova, kësisoj, ka pësuar edhe humbjen e dytë rresht në kualifikueset për Evropianin 2020, pasi në mesjavë kishte humbur nga Polonia, transmeton KTV.
Dueli ndaj gjermanëve më shumë ishte festë e hendbollit dhe mundësi për adhuruesit kosovarë që të shihnin nga afër lojtarë të klasit botëror.
Në Pallatin gati të mbushur të Sporteve në Prishtinë, hendbollistët tanë ishin të pafuqishëm përballë një Gjermanie ekstremisht të fortë, e cila nuk e diskutoi për asnjë moment fituesin në këtë sfidë.
Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Taip Ramadani rezistuan vetëm në 10 minutat e parë, duke mos i lejuar mysafirët të shkëputeshin shumë në rezultat.
Me vazhdimin e lojës, gjermanët forcuan mbrojtjen ndërsa në sulm ishin thjesht të pandalshëm, duke e mbyllur pjesën e parë me 10 gola epërsi, 15:5.
Në pjesën e dytë, mysafirët i provuan pothuajse të gjithë hendbollistët në dispozicion, megjithatë nuk u ndalën së shënuari nga çdo pozicion.
Edhe
Kosova e pafuqishme përballë fuqisë botërore Francës
I vetmi hendbollist që mund të veçohet te Kosova ishte Deniz Terziqi, i cili e përmbylli takimin me 5 gola.
Te “pancerat”, plot 12 hendbollistë u regjistruan në listën e realizatorëve, kurse Uve Genshejmer dhe Franc Semper u dalluan me nga 4 gola secili.
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon si mysafire e Izraelit, në prill të vitit të ardhshëm.