Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova me pesë lojtare në top-ligat evropiane

Edhe një hendbolliste e Kosovës i është bashkuar elitës së Norvegjisë, njërës prej ligave më cilësore në botë për hendbollin e vajzave. Bëhet fjalë për 20-vjeçaren Elisa Mulaj, që nga të rejat është “graduar” në ekipin e të rriturave të klubit Aker.

Me Elisa Mulajn, Kosova tashmë i ka pesë lojtare në dy prej top-ligave botërore të hendbollit. Tri lojtare të Kosovës janë në elitën e Danimarkës e dy të tjera në elitën e Norvegjisë. Dy shtetet skandinave shquhen për hendbollin shumë të zhvilluar, përkatësisht për sistemin shumë të avancuar të rritjes së hendbollisteve të talentuara. Prej këtij sistemi po përfiton shumë edhe përfaqësuesja e Kosovës në hendboll. Në sportet e tjera, futboll, basketboll dhe volejboll, Kosova nuk e ka luksin të ketë kaq shumë lojtare në top-liga evropiane. Por në hendboll kjo është e mundur aktualisht.

Elisa Mulaj, së bashku me motrën e saj, Melisën, ka disa vjet që është pjesë e ekipeve përfaqësuese të Kosovës. Kanë luajtur për të rejat, ndërsa tani janë te senioret. Elisa luan në pozitën e alos dhe tani e pret punë e madhe për të fituar hapësirë tek Akeri.

Në edicionin e kaluar skuadra Aker ishte e 11-a në elitën e Norvegjisë. Në elitën norvegjeze është kthyer edhe Follo, ku paraqitet Mirela Gjikokaj, reprezantuesja tjetër e Kosovës.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur talentet e reja e bëjnë hapin nga ekipi i të rejave në ekipin elitë. Una Straith, Elisa Mulaj dhe Stella Kruse janë dëshmi që me të rejat punojmë mirë. Ato kanë nënshkruar kontratë me ekipin elitë, pas zhvillimit impresiv kampionatin e kaluar”, ka njoftuar klubi Aker.

Edhe Tri hendbolliste të reja dhe tri të kthyera për ndeshjet vendimtare me Finlandën Sporte të tjera Tri hendbolliste të reja dhe tri të kthyera për ndeshjet vendimtare me Finlandën

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës i janë gëzuar zhvillimit të Elisa Mulajt.

“Elisa është e lumtur që do të luajë në elitën norvegjeze, ndërsa është e përkushtuar që të punojë edhe më shumë për ngritje të mëtejme”, ka shkruar FHK-ja.

Në kampionatin elitar të Danimarkës paraqiten kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj, organizatorja kryesore, Marigona Hajdari dhe beku Arlinda Hajdari. Marigona e Arlinda janë motra.

Demaj është pjesë e Ringkobingkut, ndërsa Marigona Hajdari së fundi u largua nga Ringkobingu dhe iu bashkua skuadrës më të madhe, Silkeborg.

“Për zhvillimin e mëtejmë ndryshimi i skuadrës ishte veprim i duhur. Loja e Silkeborgut më përshtatet shumë dhe besoj se do të jem e suksesshme”, ka thënë Marigona Hajdari.

Edhe Mulaj debuton me sukses në elitën franceze Sporte të tjera Mulaj debuton me sukses në elitën franceze

Arlinda Hajdari me skuadrën Bjerringbro ka kaluar nga kategoria e dytë në elitën daneze.

Kosova ka lojtare edhe në elitën e Zvicrës, që për nga niveli është ende para Norvegjisë e Danimarkës. Lojtare të Kosovës luajnë edhe në Gjermani e Francë, por jo në ligat elitare.