Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të thellë të shtunën në kampionatin Evropian U18, Divizioni B, që po mbahet në Tulln të Austrisë.
FHK-ja përmes faqes zyrtare konfirmon se Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 31:23. Ndeshja ishte e vlefshme për plasman përfundimtar në evropian, përkatësisht për renditje prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të.
Kosova ishte më e mirë se Britania e Madhe në të gjitha elementet e lojës dhe kështu arriti te fitorja e lartë.
“Në kuadër të Grupit B, Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet, duke përfunduar e gjashta. Por në disa prej ndeshjeve ka pasur elemente pozitive që japin shpresë për këtë gjeneratë që është në konsolidim e sipër. Fitorja e së shtunës është e mirëseardhur për djelmoshat tanë para sfidave që i presin në vazhdim të vitit”, thotë FHK, transmeton Koha.net.
Kosova e ka edhe një ndeshje në Evropian. Do të luajë ndaj Bullgarisë për plasman në pozitën e nëntë apo të dhjetë. Bullgaria ka shkaktuar befasi duke mposhtur Kosovën në ndeshjen e fundit në grup dhe të dielën (nesër) paradite, Kosova ka rastin për revansh.
Edhe
Kosova fiton ndaj Britanisë së Madhe në Evropianin në Prishtinë
“Ka optimizëm të madh se kjo mund të ndodhë. Nëse eventualisht përfundon në vendin e nëntë kombëtarja jonë, ky do të ishte një rezultat megjithatë solid i gjeneratës që për herë të parë po shijon skenën ndërkombëtare”, thotë FHK.
Ndaj Britanisë së Madhe shkëputja u bë herët dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 17:8. Më efikasi ishte Adonit Isufi me 10 gola.