Mesfushori Mërgim Brahimi për herë të parë po luan për një skuadër jashtë Zvicrës, por në nivel përfaqësuesesh në të ardhmen ai mund të luajë vetëm për këtë vend, shkruan sot Koha Ditore.
Brahimi 25-vjeçar së fundi ishte pjesë e përfaqësueses A të Kosovës në futboll. Por në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e Shqipërisë e të Zvicrës. Dhe për këtë e ka humbur të drejtën që të luajë për Kosovën, tani apo në të ardhmen. Se Brahimi më nuk do të mundë të luajë për Kosovën, e marrin punë të kryer në Federatën e Futbollit të Kosovës.
"Për Mërgim Brahimin është punë e kryer. Ai mund të luajë vetëm për Zvicrën", ka thënë Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Brahimi është lindur në Kosovë, por është rritur në Zvicër. Në këtë vend edhe është formuar si lojtar. Në vitin 2011 ai ishte ftuar në kohë thuajse të njëjtë nga U-20 e Zvicrës dhe nga U-21 e Shqipërisë. I ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Shqipërisë. Për Shpresat (U21) e kombëtares ka luajtur 10 ndeshje dhe ka realizuar një gol. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).