Majlinda Kelmendi dhe xhudistet tjera të Kosovës nuk do të largohen nga evropiani i këtij viti pas ditës së dytë të garave, ashtu siç bëjnë zakonisht, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse do të përfundojnë garat e tyre individuale, xhudistet kosovare do të duhej të qëndronin në Evropian deri në ditën e fundit. Në ditën e fundit zhvillohen garat ekipore për meshkuj e femra dhe Kosova me shumë gjasa për herë të parë do të garojë në konkurrencë ekipore në një ngjarje të madhe. Natyrisht me femra.
Evropiani i këtij viti mbahet në Varshavë të Polonisë prej 20 deri më 23 prill. Në tri ditët e para zhvillohen garat individuale, ndërsa më 23 prill, të dielën, garat ekipore. Garat ekipore zhvillohen në pesë kategori, duke filluar prej asaj 52 kilogramë e më lart dhe përfaqësuesja më e suksesshme kalon tutje.
Ekipi i Kosovës në xhudo po rritet e po kompletohet dhe për këtë arsye përzgjedhësi Driton Kuka po shqyrton seriozisht mundësinë të garojë në konkurrencë ekipore. Në konkurrencë individuale Kosova ka vite që është pjesë e kampionateve evropiane. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.