Mbrojtësi francez Laurent Koscielny do t’i bashkohet skuadrës franceze Bordeaux për pesë milionë euro, bën të ditur BBC të martën.
Arsenali ka arritur marrëveshje për të shitur Koscielnyn te Bordeaux. Qendërmbrojtësi 33-vjeçar do të rikthehet në Francë pas nëntë viteve të kaluar te Arsenali, ku ndër të tjera ishte edhe kapiten.
Koscielny kishte edhe një vit kontratë me Arsenalin, mirëpo i kërkoi krerëve të klubit që të lirojnë atë. Ai refuzoi të udhëtonte me Arsenalin në turne para-sezonal, transmeton “Koha Ditore”. Koscielny kishte refuzuar kontratën e re pasi u ndje se i është nënvlerësuar kontributi dhe aftësia e tij.
Arsenali kishte nisur procedura disiplinore ndaj Koscielnyt dhe e detyroi të stërviste me skuadrën U-23. Arsenali shpreson të transferojë një qendërmbrojtës pa përfunduar afati kalimtar në Angli të enjten.