Sport

Koronavirusi në dy skuadrat kryesore të basketbollit, shtyhen dy xhirot e ardhshme

Pak kohë pas njoftimit të KB Pejës se ka pesë basketbollistë dhe disa anëtarë të stafit teknik me koronavirus, ka reaguar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) duke shtyrë dy xhirot e ardhshme në Superligën e meshkujve.

Sipas FBK-së, shtyrja është bërë për t’u mbrojtur Përfaqësuesja e Kosovës, e cila në fund të këtij muaji do t’i luajë dy ndeshje në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Të dyja ndeshjet, me Sllovakinë (26 nëntor) dhe Islandën (28 nëntor), Kosova do t’i zhvillojë në Bratislavë.

Në fakt, në dy xhirot e kaluara në elitën e basketbollit kosovar nuk janë luajtur të gjitha ndeshjet e parapara. Janë anuluar katër prej tetë ndeshjeve për shkak të rasteve me koronavirus. FBK-ja para se të merrte vendimin për anulimin e dy xhirove të ardhshme, në sajtin zyrtar kishte publikuar çiftet e xhiros së gjashtë dhe terminin e ndeshjeve që është dashur të luhen të mërkurën e të enjten.

“Pas rezultateve të testimeve për COVID-19, në ekipin tonë fatkeqësisht janë të infektuar pesë basketbollistë dhe disa anëtarë të stafit teknik. Ekipi do të respektojë të gjitha masat dhe rekomandimet e IKSHPK-së deri në shërimin e plotë të të gjithë lojtarëve dhe stafit”, thuhej në njoftimin e KB Pejës.

FBK-ja ndërkohë ka bërë të ditur se shtyrja e dy xhirove për kohë të pacaktuar do t’i mundësojë ekipit të Kosovës që të karantinohet që nga dita e mërkurë në një hotel dhe të stërvitet pa pasur kontakte me askënd në mënyrë që mos të rrezikohet dikush prej anëtarëve që të preket me koronavirus.

Ekipi i Kosovës më 21 nëntor do të niset drejt Bratislavës për dy ndeshjet e radhës. Deri para nisjes, basketbollistët e Kosovës do të stërviten nën urdhrat e përzgjedhësit Christos Marmarinos.

“Federata e Basketbollit e Kosovës ka vendosur që për shkak të dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në muajin nëntor në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023, dy xhirot e radhës të Prince Caffe Superligës së Kosovës të shtyhen për më vonë. Basketbollistët e Kosovës dhe shtabi teknik në krye me përzgjedhësin Christos Marmarinos do të jenë së bashku në një hotel në Prishtinë, që nga dita e mërkurë dhe do të stërviten në Marigona Residencë. Ata nuk do të kenë kontakte me familjet e tyre dhe bashkëlojtarët në klubet ku aktivizohen, pasi që FBK-ja nuk dëshiron që të rrezikojë që ndonjëri prej anëtarëve të delegacionit të infektohet me Covid-19”, thuhet në njoftimin e FBK-së. Basketbollistët e Kosovës të martën do t’i marrin rezultatet e testit për koronavirus, përpara se të testohen edhe një herë para nisjes drejt Bratislavës.

“Pra shtyrja e dy xhirove është bërë që basketbollistët të cilët janë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës të karantinohen së bashku në mënyrë që të jenë të gatshëm në të gjitha aspektet për sfidat që do të zhvillohen më 26 dhe 28 nëntor në Bratislavë”.

Te Sigal Prishtina kanë mirëpritur shtyrjen e dy xhirove për shkak se nuk ishin të sigurt nëse do të mund ta luanin ndeshjen kundër Vëllaznimit, të enjten. Prishtinës i janë shtyrë dy ndeshjet e fundit, sikurse Pejës, për shkak të rasteve me koronavirus.

“Një vendim shumë i drejtë dhe profesional nga FBK-ja. Së pari duhet të përgëzohen klubet që kanë lajmëruar rastet e lojtarëve që kanë rezultuar pozitivë me Covid -19. Duhet ta kemi parasysh të gjithë se shëndeti është në radhë të parë dhe se vetëm në këtë mënyrë do të mbrohen lojtarët dhe zyrtarët në basketbollin e Kosovës nga infektimi”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Andin Rashica, që në ditët e fundit nuk e ka pasur ekipin e kompletuar për stërvitje.

KOHA ka mësuar se pesë lojtarë te Prishtina nuk po ushtrojnë për shkak të testimit pozitiv për koronavirus.

Ndërkohë te Ponte Prizreni kanë thënë se janë të pajtimit që dy xhirot e ardhshme të shtyhen për shkak të Përfaqësueses së Kosovës pasi interesi shtetëror është kryesor. Por nuk janë dakorduar edhe me anulimin e ndeshjeve në dy xhirot e kaluara pasi thonë se nuk ka pasur të bëjë asgjë me pandeminë që është përdorur si justifikim. Kështu ka thënë trajneri Arbnor Rifati, klubi i të cilit ditë më parë reagoi publikisht. Në reagim klubi nga Prizreni ka shkruar se FBK-ja po përdor standarde të dyfishta dhe se bojkotet në skuadra për shkak të pagave po mbulohen duke u arsyetuar me infektim me koronavirus. Në kuadër të xhiros së katërt të Superligës nuk janë luajtur ndeshjet Peja – Bashkimi e Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli, derisa në fundjavë nuk u luajtën ndeshjet Trepça – Peja e Ponte Prizreni – Sigal Prishtina.

“Ponte Prizreni konteston fuqishëm shtyrjen e ndeshjes kampionale me Sigal Prishtinën për arsye se ‘kinse’ qenkan lojtarët të infektuar me COVID-19 nga skuadra mike. Ne si klub kemi kryer të gjitha përgatitjet për ndeshje dhe mbrëmë në orët e vona morëm një email nga FBK-ja që ndeshja është shtyrë. Ne si klub kërkojmë transparencë dhe fakte të na deponohen se a janë në të vërtetë lojtarët me COVID-19”, thuhej në komunikatën e Ponte Prizrenit të lëshuar të shtunën.