Të goditur nga pezullimi i kampionatit shkaku i koronavirusit dhe shkurtimet e mëdha të pagave, futbollistët e papunë të Indonezisë janë detyruar të merren me punë të rënda si shitja e ushqimit në rrugë ose rojë sigurie, për të mbijetuar në këtë situatë të vështirë, kanë njoftuar mediumet e huaja të martën. Shumë liga të futbollit në të gjithë botën kanë rifilluar me zhvillimin e ndeshjeve, kryesisht në stadiume të zbrazëta.
Por, Liga 1 e Indonezisë nuk pritet të rinisë deri në fillim të vitit të ardhshëm pasi rastet e prekura me koronavirus po vazhdojnë të rriten në vendin e Azisë Juglindore. Trajnerë dhe lojtarë - të goditur nga uljet e pagave të propozuara nga liga deri në 75 për qind - kanë bërë thirrje që Indonezia të marrë shembull nga vendet e tjera, përfshirë Malajzinë dhe Tajlandën fqinje ku futbolli profesional ka rifilluar me kufizimet e sigurisë për COVID-19. Bagus Nirwanto është mësuar të luajë para mijëra tifozëve, si kapiten i ekipit PSS Sleman, shkruan AFP. Por, pasi paga e tij u përgjysmua, ai iu kthye shitjes së orizit dhe sheqerit së bashku me gruan e tij. Ai dhe lojtarët e tjerë po kanë vështirësi të mbajnë formën fizike dhe po përballen me dëmin psikologjik duke mos luajtur.
“Jam plotësisht i zhgënjyer që rifillimi i kampionatit është shtyrë”, tha Nirwanto 27-vjeçar, ekipi i të cilit është nga qyteti Yogyakarta. “Ne do të ishim vërtet të ngazëllyer dhe të stërvitur fort për ndeshjen tonë të parë por nuk po na lejojnë. Ne do të duhet t’i zhvillonim ndeshjet pa tifozë sikurse në vendet e tjera dhe jo të mbijetojmë nga shitja e gjërave ushqimore dhe punët e tjera”.
“Gjithçka është rrëmujë”
Federata e Futbollit e Indonezisë (PSSI) fillimisht dha dritën jeshile për të rifilluar ndeshjet në muajin tetor, por më pas e ktheu vendimin e saj. Djadjang Nurdjaman, trajneri i ekipit PS Barito Putera, ishte i hapur për një shtyrje të ndeshjeve për të dhe lojtarët e tij, por jo për kaq shumë muaj.
Edhe
Federata kineze propozon përgjysmimin e pagave për lojtarët e trajnerët
“Çdo gjë është një rrëmujë dhe gjithçka që kishim planifikuar është shkatërruar. Nuk ka siguri. Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë liga”, tha trajneri, skuadra e të cilit është e vendosur në Kalimantan në Ishullin Borneo. “Lojtarëve u është bërë një dëm serioz. Kjo nuk ka asnjë kuptim”.
Shumë lojtarë indonezianë thuhet se fitojnë deri në dy mijë dollarë në muaj nga futbolli.
“Ne nuk mund ta mohojmë që ka një efekt domino”, pranoi kryetari i federatës së futbollit indoneziane, Mochamad Iriawan. “Kampionati është ngrirë dhe kjo ndikon në të ardhurat e klubit, që nga ana tjetër prek lojtarët në paga. Por, ne nuk mund t'i detyrojmë klubet t'u japin lojtarëve pagat e tyre të plota si në një situatë normale, pasi jemi në një gjendje alarmante shkaku i pandemisë”.
Disa lojtarë janë përpjekur të shesin ëmbëlsira shtëpiake dhe pije kokosi kalimtarëve ose ushqim të thjeshtë rruge - shkopinj mishi në skarë me salcë kikiriku - ndërsa një futbollist në Sumatran veriore gjeti punë si roje sigurie në një bankë.
“Të gjithë në panik”
Andri Muliadi, një lojtar i ekipit Borneo FC që solli familjen e tij në Sumatra pasi u ndërprenë ndeshjet, tha se ai po ndihmon në promovimin e biznesit të vogël të shitjes së kafesë në internet.
“Ne të gjithë u kapëm nga paniku kur goditi pandemia”, pranoi 27-vjeçari. “Unë nuk kisha zgjidhje tjetër përveçse të gjeja një mënyrë alternative për të fituar para për të mbajtur familjen time gjatë kësaj kohe të vështirë. Lojtarët duhet të gjejnë mënyra të tjera për të fituar para dhe kjo është katastrofë”.
Muliadi, i cili po luan futboll me fqinjët për t'u mbajtur formën, gjithashtu po përpiqet të mbajë gjallë edhe një biznes tjetër që ofron poqa elektrike për ngjarje të veçanta.
Edhe
Klubet po presin të konfirmojnë vendimin e hidhur për lojtarët
“Biznesi është prekur me të vërtetë që nga marsi pasi qeveria ndaloi tubimet, përfshirë edhe dasmat. Gjërat po ecin shumë ngadalë sa i përket kthimit të normalitetit. Pandemia në Indonezi më së shumti ka prekur futbollistët”, tha ai.
Reduktimet e pagave mënjanë, mungesa e stërvitjeve të ngjeshura por pa ndeshje të zhvilluara që nga muaji mars ka vështirësuar edhe më shumë situatën te futbollistët.
“Ne nuk mund të rritemi profesionalisht nëse nuk ka gara. Nuk mund vetëm të stërvitemi tërë kohën dhe pastaj të merremi me punët tjera për të mbajtur familjet tona”, tha Muliadi.
Holandezi Robert Rene Alberts, trajneri i skuadrës Persib Bandung, tha se sa më shumë që zgjatet vonesa, aq më e vështirë do të jetë mbajtja e lojtarëve në formë - fizikisht dhe mendërisht.
“Lojtarët punojnë shumë në emocione, dhe situata po vështirësohet. Kampionati nuk po fillon dhe ata janë lodhur nga përgatitjet dhe pagat e ulëta, që janë prekur nga pandemia. Shpresoj që të fillojmë me ndeshje këtë vit, sepse situata po rëndohet në futboll çdo ditë e më shumë”, shtoi Alberts.
Futbolli, burimi i vetëm për shumicën e lojtarëve
Pandemia shënon sfidën e fundit për 18 skuadrat elitare dhe dy divizioneve më të ulëta të Indonezisë, të cilat janë njollosur në skenën globale nga një mori problemesh gjatë viteve, duke përfshirë skandalet e kurdisjeve të ndeshjeve dhe huliganizmin vdekjeprurës. Mirëqenia e lojtarëve ishte më parë në qendër të vëmendjes kur të paktën dy lojtarë të huaj vdiqën, pasi ata nuk kishin mundësi të paguanin kujdesin mjekësor për shkak të pagave të papaguara nga klubet që janë goditur nga pandemia në të hyra.
Edhe
Futbollistët e Amerikës së Jugut kërkojnë pagë të plotë në kohën e koronavirusit
Edhe pse ka një profil të ulët ndërkombëtar, futbolli elitar i Indonezisë ka tërhequr lojtarë të Premier League, përfshirë këtu ish-yllin e Chelseat, Michael Essien dhe ish-mesfushorin e Tottenhamit, Didier Zokora. Mirëpo, shumica e lojtarëve vendor paguhen shumë pak në krahasim me të huajt.
“Unë me të vërtetë po mbledh trurin tim për të kuptuar se si t'i mbështes katër fëmijët e mi”, tha mbrojtësi 37-vjeçar Supardi Nasir i ekipit i Persib Bandung. “Unë nuk kam profesion tjetër. Jetesa ime varet nga futbolli që për mua është burimi i vetëm”.