Meriton Korenica ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme në fanellën e Prishtinës.
Ai ka shënuar një gol shumë të bukur nga gjuajtja e lirë në barazimin e Prishtinës në udhëtim te ekipi nga Gjibraltari, Europa FC në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Evropës, transmeton Koha.net.
Përmes një postimi në Facebook, Korenica ka thënë se është shumë i kënaqur për debutimin e tij me gol, ndërsa atë ia dedikon familjes, Plisave, dhe adhuruesve të futbollit të Kosovës.
Ai është optimist se për ndeshjen kthyese.
“Kualifikimin do ta kërkojmë me fitore në ndeshjen kthyese. Jam i kënaqur për debutimin tim me gol, por mbi të gjitha pasi siguruam rezultat pozitiv për klubin me bashkëlojtarët. Golin debutues ia dedikoj familjes, Plisave dhe gjithë adhuruesve të futbollit të Kosovës. Përpara bardh e kaltër”, ka shkruar Korenica.
Më 5 korrik Prishtina e pret në shtëpi klubin nga Gjibraltari, për të zhvilluar ndeshjen e kthimit.