Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kontrata lë Alihoxhiqin të izoluar në Prishtinë

Me pezullimin e Superligës së Kosovës në basketboll pas koronavirusit, shumica e klubeve kanë liruar lojtarët e huaj dhe vendorë. Ndër to ishte edhe Sigal Prishtina, që në radhët e veta kishte katër basketbollistë të huaj. Klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshje me shumicën e lojtarëve për t’i mbyllur kontratat pas përfundimit të kampionatit. Por, një gjë të tillë nuk e ka bërë alo-qendra Fahro Alihodziq.

30-vjeçari është basketbollisti i vetëm i huaj që ka mbetur në Kosovë, që prej përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Alo-qendra nga Bosnjë-Hercegovina ka vendosur të mos e prishë kontratën me “bardhekaltrit” dhe të mbetet në Prishtinë deri në fund të kontratës. Alihoxhiq ka bërë të ditur se ka dashur ta respektojë kontratën me skuadrën e kryeqytetase. “Kam kontratë me Prishtinën deri më 31 maj. Kam dashur ta respektoj kontratën time dhe të qëndroj me ekip. Kjo është një ndër arsyet pse kam vendosur të mbetem këtu”, u shpreh Alihoxhiq.

Alihoxhiq është në vitin e dytë te klubi kryeqytetas, por ishte i pafat në sezonin e tij të parë, ku u lëndua duke mos bërë asnjë paraqitje për “bardhekaltrit”. Përkundër kësaj, të dyja palët arritën marrëveshje që lojtari të mbetet edhe në sezonin e ri. Këtë sezon, Alihoxhiq u paraqit me prishtinasit edhe në FIBA Europe Cup. Basketbollisti i Prishtinës ka folur edhe për situatën pas përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Alihoxhiq, që është me nënshtetësi britanike, ka thënë se koronavirusi e ka bllokuar atë në kryeqytet. Madje, basketbollisti i prishtinasve thotë se ishin me fat që ishin në Kosovë, pasi në Britaninë e Madhe koronavirusi është i përhapur më shumë. “Aeroporti dhe kufijtë janë mbyllur dhe ne do të kthehemi në shtëpinë tonë kur të jetë koha e duhur. Së bashku me gruan time vendosëm të qëndrojmë këtu, pasi Kosova ishte më e sigurt sesa vendi ynë. Të mbesim këtu ka qenë fat, pasi ndihemi shumë të sigurt. Jemi shumë të lumtur me mënyrën se si është menaxhuar këtu pandemia COVID-19”, theksoi Alihoxhiq. 30-vjeçari, te Prishtina, në 22 ndeshje në Superligën e Kosovës në basketboll, ka një mestarë prej 23.8 pikëve dhe 10.9 kërcimeve për ndeshje.