Prizren, 17 janar – Sadik Ferati mburret me të arriturat e tij si mundës. Ai në vitin 1991 fitoi titullin e botës për grupmoshën e kadetëve. I artë ishte në stil të lirë kurse në stilin greko-romak fitoi medaljen e bronztë botërore.
Por, Ferati do të ishte edhe më i lumtur nëse ndonjëri prej nxënësve të tij do t’ia kalonte me rezultate. Ia ka vënë vetes këtë synim. Me bindje të plotë thotë se do ta përmbushë brenda pak vitesh misionin për të nxjerrë mundës kampion.
Ferati bashkë me asistentin e tij, Besim Kurtaj, po punon me përkushtim maksimal me të rinjtë e klubit të themeluar tre muaj më parë në Prizren – Kolosi.
Në klubin ku po rriten kolosët e ardhshëm të mundjes ka rregull, disiplinë dhe mbi të gjitha punë të madhe.
Sadiku ua përsëriste rregullisht mundësve të rinj se vetëm me punë, sakrificë e përkushtim mund të arrijnë rezultate kulmore.
“Unë kam besim se edhe nga klubi Kolosi do të dalin fëmijë me rezultate të larta, sepse vet edhe emri tregon që është një i fortë, qëndrueshëm dhe i pari. Besoj se nuk do të na zhgënjejnë me këtë emër si kolosë”, ka thënë Ferati për KOHËN.
Ferati e ka formuar klubin me iniciativë të tij. Në stërvitje kishte numër goxha të madh të mundësve, prej të cilëve pret rezultate të mëdha.
“Ambiciet janë që klubi të arrijë rezultate kulmore si në vend ashtu edhe jashtë. Kemi katër apo pesë mundës e po ashtu edhe dy apo tri vajza të mira, me potencial që të arrijnë rezultate kulmore dhe Kosovës t’i sigurojnë rezultate të mëdha. Kosova njihet për sukseset në sporte individuale”, është shprehur trajneri prizrenas.
Ferati insiston se mundësitë në klub i kanë, meqë, sipas tij, nuk mungon as përkrahja nga Komuna e Prizrenit.
“Kemi përkrahje nga Komuna, përkatësisht Departamenti i Sportit. Kemi një strukturë të mirë të kryesisë, zyrtarë që e përfaqësojnë klubin me dinjitet, ekonomistë, sportistë, trajnerë, psikologë të sportit, fizioterapeutë, juristë dhe gjithçka që i nevojitet një klubi që synon suksese”, ka deklaruar Ferati.
Ferati thotë se përfaqësimi i mundjes nga Egzon Shala në Lojërat Olimpike është i mirëseardhur për t’i motivuar gjeneratat e reja. Ai pret që nxënësit e tij në të ardhmen të synojnë edhe medalje nga Lojërat Olimpike.
“Neve na takon që njohuritë e fituara t’ua trashëgojmë tjerëve. Është një sukses që një fëmijë të arrijë kulmin. Kam pasur fatin të jem kampion bote dhe njëherë i treti i botës. Pres nga këta të arrijnë edhe më shumë, pse jo edhe medalje olimpike. Kam shumë shpresa sepse punohet mirë, me vullnet dhe sinqeritet. Ia kam vënë një llogaridhënie vetes, sepse kam bashkëpunim të mirë edhe me prindërit”, është shprehur Ferati.
Në klubin Kolosi, Ferati thotë se janë dyert e hapura për të gjitha komunitetet. Ai tashmë në klub ka edhe fëmijë të komunitetit rom dhe turk. Ka afruar afër vetes edhe të rinj me aftësi të kufizuara.
“Synimi është të filloj me garat e Kosovës, pastaj të dalë në Ballkan dhe më vonë edhe më shumë. Dëshira është të eci përpara dhe në të ardhmen të bëhem kampion, pastaj trajner e më vonë edhe menaxher i një klubi si dhe refer i mundjes”, ka thënë mundësi Suhejb Berisha.
Edhe Albi Susuri është i kënaqur që është pjesë e klubit Kolosi.
“Ushtroj në klubin e mundjes Kolosi me trajnerin Sadik Ferati dhe zëvendëstrajnerin Besim Kurtaj që i falënderoj për angazhimin dhe punën që bëjnë me ne. Në të ardhmen shpresojmë t’i bëjmë krenar me sukseset tona”, ka thënë Susuri.
Në klubin Kolosi ka edhe garues që udhëtojnë rregullisht nga Kukësi për ushtrime. Madje, synojnë në të ardhmen ta përfaqësojnë Kosovën.
“Kam ardhur të bëhem më i forti dhe t’i sjell Kosovës në të ardhmen medalje”, thotë Ernest Domi nga Kukësi.
Suksese presin edhe Dior Zogaj dhe mundësja Eda Fluku.
“Shpresoj të shkoj lart derisa të bëhem kampion i botës’, ka theksuar Zogaj, ndërsa Fluka synon të bëhet si kampionia olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi.
“Jam nxënëse e këtij klubi dhe jam e kënaqur që jam këtu. Pres të kem rezultate të mëdha”, ka thënë ajo.
Kosova tashmë e ka një mundës që ka siguruar kualifikimin në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që mbahen në verën e këtij viti. Është Egzon Shala nga Prizreni që e ka siguruar me normë paraqitjen në Tokio, ndërsa përveç xhudos ka shpresa për pjesëmarrje me normë edhe nga sportet e tjera.