Prishtinë, 7 mars - Në një palestër me kushte jo të volitshme për stërvitje, mundësit e klubit Kaçaniku nuk ndalen përballë vështirësive e sfidave. Stërvitjet ata i zhvillojnë në sallën e shkollës fillore “Emin Duraku” në Kaçanik.
Ky klub është i veçantë për faktin se në të dominojnë vajzat. Është gjë e pazakontë për mundje, sportin e vështirë që në Kosovë e praktikojnë më shumë djemtë.
Klubi që tashmë ka shtatë vjet që është themeluar, synon që në të ardhmen të arrijë t’i sigurojë Kosovës medalje në garat e rëndësishme ndërkombëtare.
Trajneri i klubit, Ferat Ramadani, ishte iniciator i themelimit të klubit dhe orientimin e tij për punë edhe me vajza.
Ai është prej fillimit te KM Kaçaniku, me të cilin ka synime të mëdha në të ardhmen. Për trajnerin nga Shkupi interesimi i femrave ishte i befasishëm në ditët e para të krijimit të klubit.
“Në fillimet e hapjes së klubit tonë kemi pasur më shumë interesim nga vajzat sesa nga djemtë. Fillimisht ishte pak e çuditshme dhe kisha një lloj shqetësimi pasi të gjithë e dimë sesi janë traditat shqiptare. Por në një takim me prindërit mora përkrahjen dhe vazhdojmë edhe sot të punojmë. Momentalisht jemi duke punuar vetëm me gjenerata të reja apo më mirë të themi me pioniere. Është një punë e vështirë pasi kemi të bëjmë me një gjeneratë të re. Kemi një gjeneratë shumë të mirë dhe besoj se do të arrijmë të kemi suksese në garat ndërkombëtare. Sigurisht që synimet janë të mëdha dhe shpresojmë t’i sjellim vendit tonë medalje të arta”, deklaroi Ramadani.
Një ndër garueset e para te klubi Kaçaniku ishte Elvira Krasniqi. Ajo është pjesë e klubit tash e gjashtë vjet. Për mundësen nga Kaçaniku, fillimi ka qenë i vështirë pasi ky sport praktikohet më shumë nga djemtë. Elvira kishte menduar të hiqte dorë nga mundja, por me kalimin e kohës arriti të adaptohet. Për mbetjen në sportin e mundjes nuk është aspak pishman.
si sport nuk me ka pëlqyer aspak pasi ushtrohej më shumë nga meshkujt dhe nuk kam besuar se do të vazhdoj. Por pas disa stërvitjeve e kam kuptuar që kam aftësi dhe kam dashur të jem pjesë e klubit. Si sport duket i vështirë por pasi kam filluar jam mësuar dhe tashmë jam bërë ngjashëm sikurse djemtë të cilët stërvitin. Disa herë kam dashur të heq dorë nga ky sport por me kalimin e kohës kam filluar të ndihem shumë mirë dhe e gatshme për luftëra”, thotë Elvira Krasniqi.
Për kushtet e vështira në të cilat punohet, ka folur kryetari i klubit, Skënder Nikoci.
“Përveç ushtrimeve të cilat i bëj në klub tashmë kam filluar t’iu ndihmoj edhe mundëseve të reja të cilat janë pjesë e skuadrës. Mund të them që interesimi në qytetin e Kaçanikut, nga vajzat e reja për mundje është në rritje dhe ka interesim të madh për të qenë pjesë e klubit. Kjo sigurisht që na jep edhe më shumë vullnet të punojmë sa më shumë dhe të mundohemi të kemi një gjeneratë të suksesshme në të ardhmen”.
Trajneri Ferat Ramadani skuadrën e udhëheq në mënyrë vullnetare. Thotë se nuk paguhet për punën që bën.
Vajzat e ushtrojnë sportin e mundjes edhe në Prizren. Por dukshëm më tepër ka në Kaçanik. Në qytete të tjera ushtrojnë kryesisht djemtë. Por sporti i mundjes vuan për masivitet. Ky sport vlerësohet me potencial për sukses ndërkombëtar, por ato ende duken të largëta.
Në një tjetër sport luftarak vajzat ia sjellin Kosovës medaljet më të vlefshme. Në xhudo, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Nora Gjakova kanë fituar krejt çka mund të fitohet në sport. Të gjitha ato synojnë medalje olimpike në Tokio, në verën e këtij viti.