Kalimi i Benjamin Kolollit te Baseli nuk është pritur mirë nga të gjithë në Zvicër. Ka pasur komente të ndryshme në rrjete sociale, disa prej tyre negative për lojtarin kosovar.
Gazeta e madhe zvicerane, “20 Minuten”, ka shkruar të mërkurën për një deklaratë të Kolollit të dhënë në vitin 2017.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo gazetë ka shkruar se Baseli ka angazhuar 49 lojtarë nga maji i vitit 2021. Por, sipas “20 Minuten” asnjë transferim nuk ka sjellë reagime sa ky i Kolollit.
“Arsyeja nuk ka të bëjë me të kaluarën e tij te Zuerichu, por një qëndrim diskutabil në vitin 2017. Pak kohë pasi arbitri i atëhershëm i Superligës, Pascal Erlachner, foli për herë të parë për homoseksualitetin e tij, Kololli ishte pyetur nga ‘Blick’ për një opinion për temën”, ka shkruar “20min.ch”.
Përgjigjja e sulmuesit të krahut kishte ngjallur reagime.
“Kemi diskutuar me ekipin daljen e arbitrit. Nëse një lojtar do të deklarohej ashtu, do të pranohej shumë më negativisht. Do të ishte më e vështirë të pranohej”, kishte deklaruar Kololli.
Ai ishte pyetur nëse mund të ketë homoseksualë në ekipin ku luan.
“Shpresoj që jo, por është e mundur. Nëse po, atëherë duhet ta mbaj për vete. Mund të krijoj konflikte pasi ne bëjmë dush së bashku”, kishte vazhduar Kololli.
Sipas gazetës zvicerane, deklarata e Kolollit ishte homofobike.
Te Baseli duket se e kanë parashikuar se deklarata e dhënë gjashtë vjet më parë mund të aktualizohet pas transferimit të Kolollit. Në të njëjtën kohë kur transferimi u publikua, Baseli publikoi një deklaratë të Kolollit në “X”.
“Natyrisht, nuk do të jepja një deklaratë të tillë tani. Unë u pyeta për temën menjëherë pas ndeshjes dhe u përgjigja ngathët. Jam i hapur dhe i qartë se secili duhet të deklarohet ashtu si është, në futboll dhe çdo vend tjetër. Do të doja të hedhë poshtë akuzën për homofobi qartë dhe pa rezervë”, ka thënë Kololli, sipas postimit të FC Baselit.
“20 Minuten” ka shkruar se tema megjithatë nuk është e mbyllur për tifozët e Baselit.
“Lojtarët homofobikë nuk janë të mirëseardhur”, ishte njëri prej komenteve në “X”, të cilin e ka publikuar gazeta zvicerane.
Tifozë të Baselit kanë shprehur mëdyshje edhe për kualitetin sportiv të Kolollit. Pas karrierës së gjatë në Zvicër, Kololli për dy vjet e gjysmë ishte në Japoni te skuadra Shimizu S-Pulse. Në vitin e fundit luajti 11 prej 42 ndeshjeve të mundshme në kategorinë e dytë japoneze.
Baseli e ka prezantuar Kolollin si përforcim të madh për pjesën e dytë të kampionatit.