Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Benjamin Kololli, ka shënuar dy golat e fitores për Lausannen.
Kololli në fitoren 2:1 ndaj Luganos të dielën, në kuadër të javës së 18-të të Superligës së Zvicrës, golin e parë shënoi në minutën e 24-t, kurse të dytin në minutën e 35-të, shkruan sot “Koha Ditore”. Në 13 paraqitje Kololli ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuar me dy asistime.
Dy gola në fitoren e arritur nga Baseli me rezultatin 3:0 ndaj St. Gallenit i shënoi sulmuesi Albian Ajeti. Ajeti golin e parë e shënoi në minutën e 26-të, kurse të dytin për 2:0 e shënoi në minutën e 65-të. Ajeti në 15 paraqitje ka shënuar tetë gola dhe një asistim.
“Kisha për qëllim të mos festoja në shenjë respekti për shokët e mi. Ishte një ndeshje e veçantë për mua, pasi luajta kundër ish-skuadrës ku kalova një kohë të mirë”, ka thënë Ajeti që te Baseli u kthye gjatë tetorit të këtij viti nga skuadra e St. Gallenit. Lëvdata Ajeti pati edhe nga trajneri i St. Gallenit, Giorgio Contini.
“Një lojtar si Ajeti neve do të na bënte mirë”, ka thënë Contini.