Portieri me përvojë, Enea Koliçi, ka debutuar me fitore te Gjilani. Ai e ruajti portën në fitoren 3:1 ndaj Tre Pennes në San Marino, në fazën parakualifikuese të Ligës së Evropës.
Fillimi me fitore ka gëzuar 34-vjeçarin, që shpreson për shumë fitore me skuadrën gjilanase. Një fitore eventuale në ndeshjen e ardhshme, të enjten ndaj APOEL-it qipriot në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Evropës, do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për Gjilanin dhe për futbollin kosovar në përgjithësi.
Koliçi, që ka përvojë të gjatë në Greqi dhe që njeh futbollin qipriot, thotë se APOEL-i nuk e ka forcën që e kishte dikur. Ai pranon se APOEL-i është favorit i madh ndaj Gjilanit, por nuk e përjashton mundësinë e befasisë.
Koliçi javë më parë është bashkuar me Gjilanin. Pritet që me përvojën që ka të sjellë stabilitet në mbrojtjen gjilanase. Ai ka treguar të martën për KOHËN se te Gjilani gjërat po shkojnë mirë në prag të ndeshjes me APOEL-in.
“Të gjithë e dimë se çfarë kundërshtari kemi përballë. Ndoshta nuk është ai ekip që ka qenë dikur, por mbetet një kundërshtar i fortë. Por futbolli ka shumë surpriza. Ne do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin dhe të shpresojmë për diçka të mirë”, ka thënë Koliçi.
Ai edicionin e kaluar luajti për Skënderbeun e Korçës. Në Shqipëri ka luajtur edhe për Flamurtarin e Vlorës, në dy periudha, si dhe për Kukësin. Në Greqi ka bërë karrierë të gjatë te skuadra si Iraklis, Olympiacos Volos, Odyseas Kordelio e Panserraikos. Ka 14 paraqitje për U-21 të Shqipërisë.
“E di që APOEL-i ka disa lojtarë që bëjnë diferencën, sidomos në sulm ka shumë kualitet. Si ekip po përpiqemi të marrim sa më shumë informata për APOEL-in që të jemi gati për këtë sfidë”, ka shtuar Koliçi.
“Debutimi im erdhi me fitore dhe kjo më bën shumë të lumtur. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të shijoj sa më shumë fitore me ekipin e Gjilanit. Për momentin përshtypjet janë shumë pozitive. Më kanë pritur shumë mirë dhe nuk besoj se më duhet shumë kohë që të ambientohem me ekipin dhe me qytetin e Gjilanit”.
Te Gjilani ka shumë lojtarë nga Shqipëria. Trendi i ardhjes së lojtarëve nga Shqipëria në Kosovë është në rritje të vazhdueshme.
“Këto vitet e fundit kampionati kosovar është në rritje. Në krahasim me kampionatin e Shqipërisë, është disi pak më mbrapa, sidomos në infrastrukturë. Por besoj se edhe kjo është çështje kohe për t’u rregulluar. Gjithashtu nga ana financiare ekipet po investojnë dhe kur investon rritet niveli i futbollit. Më pëlqen shumë plani i klubit dhe nuk mendova dy herë për të pranuar të jem pjesë e klubit të Gjilanit”, ka thënë Koliçi.
Ai nuk e përjashton mundësinë që për Gjilanin të luajë kohë më të gjatë.
“Nuk kam pasur ndonjë dilemë që të bashkohem me Gjilanin. Për momentin jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë. Shpresoj t’i arrijmë objektivat dhe pse jo, të jem pjesë e ekipit për shumë vjet”.