Komiteti Olimpik i Kosovës ka realizuar të hyra financiare prej 2 milionë e 140 mijë eurosh gjatë vitit 2023. Kjo është bërë e ditur në materialin e punës, që KOK-u e ka dorëzuar te federatat sportive në prag të Asamblesë së Punës që mbahet më 27 mars.
Të hyrat janë rritur në krahasim me vitin 2022. Gjatë vitit 2022 Komiteti Olimpik kishte të hyra prej 1 milion e 891 mijë eurosh.
Shumicën e të hyrave KOK-u i ka nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht nga buxheti i Kosovës. Nga MKRS-ja, KOK-u gjatë vitit 2023 është përkrahur me 1 milion e 492 mijë euro. 800 mijë euro i janë ndarë në bazë të memorandumit, 500 mijë euro për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, e 91 mijë për promovim të kësaj ngjarjeje. MKRS-ja i ka ndarë buxhet KOK-ut edhe për memorandume të tjera.
Nga Komiteti Olimpik Evropian, KOK-u ka realizuar të hyra prej 125 mijë eurove, ndërsa nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishte të hyra prej 316 mijë eurosh.
Të hyra nga sponsorizimi, KOK-u gjatë vitit 2023 i kishte 200 mijë euro.
Sa u takon shpenzimeve, mbi 1.5 milionë euro janë ndarë nga KOK-u për aktivitete. Për shembull, 260 mijë euro u ndanë për udhëtim dhe akomodim të KOK-ut dhe ekipit olimpik e 240 mijë euro për pjesëmarrje në gara të ekipit olimpik. Plot 102 mijë euro janë të evidentuara si “mëditje të bordit dhe stafit për udhëtime zyrtare”.
Hartimi i “Biding book” për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, sipas raportit të auditorit, ka kushtuar plot 149 mijë euro. Si aktivitet i KOK-ut është përfshirë edhe shifra prej 500 mijë eurosh e evidentuar si “shpenzim për kuotën e organizimit të LM ‘Prishtina 2030’”.
Jashtë aktiviteteve KOK-u ka ndarë 197 mijë euro për bursa olimpike dhe 165 mijë euro për paga dhe kompensime të tjera. Shpenzime administrative janë evidentuar 153 mijë euro.