Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka fituar njërin nga çmimet prestigjioze që organizata ndërkombëtare “Peace & Sport” i ndan çdo vit.
KOK-u ka fituar çmim për aktivitetin e organizuar gjatë pandemisë “6 prill – Iniciativa e Vitit”, në të cilën u përfshinë rreth 5 mijë persona, të cilët me letër të bardhë krijuan foto dhe video, duke bërë sport gjatë qëndrimit në shtëpi, ndërsa pjesëmarrëse në këtë ishte edhe kampionja olimpike Majlinda Kelmendi.
Kampanjës iu bashkuan qindra organizata të huaja, ndërsa në total numri i pjesëmarrësve sipas “Peace & Sport” ishte më shumë se 117 milionë.
Për të fituar këtë çmim, KOK-u ishte në konkurrencë të ngushtë me Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, Ministrinë e Edukimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit të Gjeorgjisë, Sekretariatin e Shtetit për Sport dhe Rini në Ministrinë e Edukimit të Portugalisë dhe Organizatën “Sport for Life” të Palestinës, ndërsa për çmimin e të parit vendosi Juria dhe votuesit.
Shkaku i pandemisë Covid-19, ceremonia e shpërblimeve u mbajt ‘online’ ndërsa çmimin për KOK-un e zbuloi kampioni Olimpik i “Athina 2004” në pingpong, jug-koreani Seung Ming Ryu, njëherit medalist i argjendtë në LO Londra 2012 dhe i bronztë në Pekin 2008.
Në emër të KOK-un, presidenti Besim Hasani, falënderoi pjesëmarrësit e kampanjës, Jurinë e “Peace and Sport” dhe gjithë votuesit.
“Është një nder jashtëzakonisht i madh për ne të fitojmë një çmim kaq prestigjioz të organizatës kredibile “Peace and Sport”. Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës për jurinë, iu përkulemi votuesve në gjithë botën që u frymëzuan, duke na votuar ne”, tha presidenti Hasani.
“Peace and Sport” është organizatë me seli në Monako dhe që funksionon nën patronatin e Princit të Monakos, Albertit të Dytë. Organizata promovon paqen dhe sportin në botë. Anëtarë të saj janë shumë kampionë Olimpikë e botërorë, që kanë lënë gjurmë në karrierën e tyre sportive.