Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KOK-u fiton 50 mijë euro grant nga Solidariteti Olimpik

Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka aprovuar projektin e Komitetit Olimpik të Kosovës për grantin ekipor të ciklit olimpik 2017-2020, në vlerë prej 60 mijë dollarësh (50 mijë euro).

"Bordi Ekzekutiv i KOK-ut ka vendosur që këtë grant t'ia ndajë Federatës së Hendbollit të Kosovës për Përfaqësuesen seniore të femrave, e cila shkroi historinë, duke zënë vendin e parë në grupin parakualifikues për 'Euro 2018'. Mposhti Izraelin dhe Gjeorgjinë në ndeshjet e luajtura në Prishtinë", thuhet në njoftimin e KOK-ut, përcjell Koha Ditore.

KOK-u edhe vitin e kaluar fitoi grant nga Solidariteti Olimpik në vlerë 25 mijë dollarë (21 mijë euro), i cili i ishte dhënë Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).