Seleksionuesi i Holandës, Ronald Koeman pritet të lirohet nga spitali të hënën, pasi ishte shtrirë të dielën me probleme me zemër, shkruan agjencia Reuters.
Koemanit 57-vjeçar iu vendosën dy stenta në arteriet e bllokuara dhe është në gjendje stabile, ka njoftuar agjenti i tij Rob Jansen. Ai ishte dërguar në spital në Amsterdam të dielën, pasi nuk ndjehej mirë pas një gjiro që bëri me biçikletë.
Federata e Futbollit të Holandës i ka uruar Koemanit rikuperim të shpejt.
“Ishte shok, por për fat të mirë ai është duke u ndjerë shumë më mirë”, është thënë nga federata.
Koeman ka dy vite që gjendet në postin e seleksionuesit të Holandës dhe ka kualifikuar përfaqësuesen në Kampionatin Evropian që është shtyrë për vitin e ardhshëm.
Koeman, që si lojtar kishte fituar Kupën e Evropës me PSV-në dhe Barcelonën, drejtoj si trajner edhe Evertonin në Angli.