Sport

Klubi nga Ukraina i kërkon FIFA-s ta largojë Iranin nga Kupa e Botës

Një klub elitar i Ukrainës i ka kërkuar të hënën FIFA-s që të largojë Përfaqësuesen e Iranit nga Kupa e Botës për shkak të mbështetjes ushtarake të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Shefi ekzekutiv i Shakhtar Donetskut, Sergei Palkin, akuzoi Iranin për “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në sulmet terroriste ndaj ukrainasve”, duke sugjeruar se përfaqësuesja e vendit të tij duhet të luajë në Katar në vend të iranianëve.

“Ky do të jetë një vendim i drejtë që duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës ndaj një regjimi që vret njerëzit dhe ndihmon në vrasjen e ukrainasve”, tha Palkin në një deklaratë, një ditë përpara se skuadra e tij të luajë në Celtic në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Shtëpia e Bardhë ditë më parë tha se SHBA-ja ka prova se trupat iraniane janë “të angazhuar drejtpërdrejt në terren” në Krime, duke mbështetur sulmet ruse me dron mbi infrastrukturën e Ukrainës dhe popullsinë civile. Dhe kreu i shërbimit inteligjent të Ukrainës, Kyrylo Budanov, tha në një intervistë të publikuar të hënën se forcat ruse kishin përdorur rreth 330 dronë “Shahed” të prodhuar nga Irani. Sipas tij, më shumë dronë ishin porositur.

Rusia dhe Irani kanë mohuar se dronët e përdorur ishin të prodhuar nga Irani. Irani luan në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës, më 21 nëntor kundër Anglisë, dhe më pas përballet me Uellsin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Grupit B. Uellsi u kualifikua në Botëror duke e mposhtur Ukrainën në plejof në muajin qershor, në një lojë që u shty nga muaji mars për shkak të luftës.

FIFA nuk ka dhënë ende një përgjigje në lidhje me kërkesën e Shakhtarit. Megjithatë, nëse një ekip aziatik do të pezullohej, nuk do të kishte asnjë precedent që FIFA ta zëvendësonte atë me një ekip evropian në Kupën e Botës. Organizata botërore e futbollit zakonisht nuk i pezullon federatat anëtare për shkak të vendimeve ushtarake nga një qeveri.

FIFA ka pezulluar ekipet e Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë, gjë që ka ndaluar Përfaqësuesen e Rusisë të luante në plejofin kualifikues për Kampionatin Botëror në muajin mars. FIFA përmendi rreziqet për sigurinë dhe integritetin e garave të saj. Kundërshtarja e planifikuar e Rusisë, Polonia, kishte refuzuar ta luante atë lojë. FIFA po i reziston gjithashtu thirrjeve nga grupet e tifozëve iranianë për të pezulluar ekipin e tyre për shkak të protestave në rrugë në mbështetje të drejtave të grave dhe për shkak të një politike të gjatë që i ndalon gratë të ndjekin lirshëm ndeshjet në futboll dhe sporte të tjera.

FIFA zakonisht pezullon përfaqësueset vetëm kur Qeveria e vendit gjykohet se ka ndërhyrë në drejtimin e pavarur të federatës së futbollit. Pesë ekipe të konfederatës aziatike kaluan në Kupën e Botës për t'u bashkuar me Katarin.