Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubi japonez planifikon statujën e Iniestas me financim të tifozëve

Andreas Iniesta

Kobe, 17 janar – Klubi më i pasur i futbollit në Japoni, Vissel Kobe po dëshiron të ndërtojë një statujë bronzi për lojtarin që e fitoi Kupën e Botës, Andres Iniestan – dhe tashmë ka nisur projektin në të cilin do të kontribuojnë edhe tifozët. Ish-maestro i Barcelonës, Iniesta iu bashkua Kobes në vitin 2018 në një marrëveshje me vlerë prej 30 milionë dollarësh në vit dhe nënshkroi një zgjatje të kontratës për dy vjet në vitin e shkuar. Klubi është në pronësi të miliarderit të teknologjisë Hiroshi Mikitani, një nga njerëzit më të pasur të Japonisë.

Tani Kobe po kërkon të mbledhë 115 mijë euro për të nderuar mesfushorin 37-vjeçar me një statujë jashtë stadiumit. Klubi u ka kërkuar tifozëve që të kontribuojnë shuma të ndryshme të parave duke filluar nga shuma minimale prej tetë eurosh. Sipas klubit, statuja e Iniestas do të ndihmojë në kthimin e stadiumit të tyre në “tokën e shenjtë” të futbollit japonez.

“Të thuash se është një mrekulli të jesh pranë për të parë Iniestas duke luajtur në Japoni nuk është një ekzagjerim”, thuhet në faqen e klubit ku ka njoftuar për planet rreth statujës së futbollistit spanjoll.

Kontribuuesit do të marrin përfitime duke filluar nga fotografitë e bëra me Iniestën në ceremoninë e zbulimit deri te një votim se çfarë poze duhet të marrë statuja.

Iniesta ka gëzuar një popullaritet të madh në Japoni, me analistët që vlerësojnë se ai ka gjeneruar më shumë se 100 milionë euro në të ardhura për klubin nga shitjet e biletave. Mirëpo, ai ende nuk e ka fituar titullin në J-League që kur u transferua në Japoni. Legjenda e Brazilit, Zico, i cili luajti në J-League kur u lansua në vitin 1993, ka një statujë jashtë stadiumit të ish-klubit të tij, Kashima Antlers.