Klubi rumun i futbollit, FCSB, i njohur më parë si Steaua Bukuresht, ka filluar stërvitjet e ekipit, duke shkelur vendimin që ndalon tubimet në ambiente të jashtme, që është në fuqi në tentim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Një video e publikuar në faqen e klubit në Facebook, ka treguar lojtarët duke ushtruar në grupe prej tre personave, në bazën e klubit. Trajnerin Bogdan Vintila dhe asistentët e tij kanë përcjellë nga afër stërvitjen.
“Me kërkesë të lojtarëve tanë, FCSB ua ka bërë të munduar atyre të kenë qasje në qendrën sportive, për t’u përgatitur në grupe nga tre lojtarë, si një alternativë e seancave stërvitore përmes videove”, ka thënë FCSB, raporton Reuters.
“Lojtarët, të mbikëqyrur nga Bogdan Vintila dhe kolegët e tij nga stafi teknik, kanë ushtruar në pesë fusha dhe kanë mbajtur distancën nga njëri-tjetri”.
Ministri i Sportit, Ionut Stroe, ka thënë se FCSB mund të përballet me dënime për shkelje të dy dekreteve presidenciale.
“Nëse duan të ushtrojnë, unë rekomandoj që ata të kërkojnë miratimin dhe pëlqimin e institucioneve shtetërore. Vendimet në fuqi ndalojnë një mënyrë të tillë të stërvitjes”, ka thënë ai.
Futbolli në Rumani është i suspenduar, ndërsa shpresat janë që kampionati të vazhdojë në qershor. Steaua ka fituar Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1986, ndërsa është klubi më i suksesshëm në Rumani me 26 tituj. Steaua, që tani njihet si FCSB, është në vend të dytë në tabelë.
Në Rumani masat do të lehtësohen vetëm pas 15 majit.