Klubi danez i futbollit Viborg FF ka pranuar se ka transferuar një holandez që thoshte se është futbollist profesionist, pa parë ndonjë video të tij duke luajtur. Klubi tash ka bërë ankesë për mashtrim nga agjentët e lojtarit, pasi mungesa e shkathtësive të tij është më se e qartë.
Bernio Verhagen (25) kaloi te Viborgu në tetor, duke thënë se ka luajtur për skuadrën kiliane Audax Italiano së fundi. Mirëpo, nuk është sigurt se ai ka luajtur ndonjëherë për atë klub, apo për ndonjë tjetër që e ka përmendur në CV.
Ai u nxor nga fusha në seancën e parë stërvitore te Viborgu për shkak të nivelit të ulët të shkathtësive të futbollit, ka thënë klubi në komunikatë, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. “Është një pamje e pastër e një mashtrimi më të madh, që me gjasë ka përfshirë më tepër njerëz në disa shtete”, është thënë nga Viborgu.
Policia daneze ka konfirmuar se Viborg ka dorëzuar një ankesë për mashtrim, për falsifikim të dokumenteve dhe vjedhje të identitetit, por nuk është bërë një padi deri më tash.
Për t’u bërë gjërat më keq për Verhagenin, ai është arrestuar me dyshim se ka sulmuar të dashurën e tij, për plaçkitje, si dhe për kërcënim të dëshmitarëve, ka njoftuar prokurori lokal.
Avokati i Verhagenit ka mohuar këto akuza, duke thënë se asnjë prej tyre nuk kanë të bëjnë me arrestimin e tij. Ai nuk ka pasur ndonjë koment rreth akuzave për mashtrim.
Viborg ka treguar se një person që ka thënë se është nga agjencia e futbollit “Stellar Group” ka kontaktuar klubin në korrik, duke thënë se Verhagen do të transferohet në Kinë në janar dhe se i duhet diku të luajë në ndërkohë.
“Stellar Group” nuk është përgjigjur në kërkesën për një koment.
Sipas “Transfermarkt”, Verhagen kurrë nuk ka luajtur në Audax Italiani dhe nuk ka edhe të dhëna se është paraqitur në klubet e tjera që i ka përmendur, si në atë moldave Dinamo-Auto apo atë jug-afrikane Cape Town City FC.
Kryetrajneri i Dinamo-Auto, Igor Dobrovolsky ka thënë se kurrë nuk ka dëgjuar për këtë lojtar, ndërkohë pronari i Cape Town City FC, John Comitis, ka pranuar se e njeh.
“Ai kurrë nuk është regjistruar dhe nuk ka luajtur për Cape Town Cityn. Ai kishte plane të bënte këtë, por ne zbuluam se diçka nuk është në rregull, kështu që u tërhoqëm nga ofrimi i një kontrate”, ka thënë Comitis.