E dashur dhe e admiruar në mbarë botën për prodhimin e lojtarëve si Roberto Baggio dhe Andrea Pirlo, Përfaqësuesja e Italisë po lufton për respekt në shtëpi. Në një vend ku klubet sundojnë dhe provincializmi që shtrihet në kohët mesjetare ende mbizotëron, “Azzurrët” shpesh konsiderohen si një mendim i mëvonshëm - apo edhe një bezdi. Klubet italiane shpesh preferojnë t'i mbajnë lojtarët e tyre të çmuar larg përfaqësueses në vend që të rrezikojnë lëndime. Nuk ka tifozë të organizuar “ultras” të fortë për Italinë siç ka për çdo ekip klubi në Serinë A, B dhe C. Italia nuk ka as një stadium në shtëpi siç e ka Anglia “Wembley”.
Në vend të kësaj, ata shtrihen në mbarë vendin, shpesh duke luajtur ndeshje në stadiume dhe qytete të vogla - duke u shfaqur në “San Siro” në Milano dhe “Stadio Olimpico” në Romë vetëm për ndeshjet më të mëdha. E zvarritur nga mungesa e lojtarëve të rinj të mirë dhe nga rënia e ligës italiane gjatë dekadës së fundit, katër herë kampionia e botës, Italia nuk arriti të kualifikohej për një kupë botërore të dytë radhazi.
Fituesja e Kampionatit Evropian të vitit të kaluar, Italia u mund në shtëpi nga Maqedonia e Veriut në ndeshjen e plejofit në mars. Katër vjet më parë, ishte një humbje në plejof në shtëpi ndaj Suedisë që i mbajti italianët jashtë nga Kupa e Botës 2018 në Rusi. Ndërsa në Kupat e Botës 2010 dhe 2014, Italia u eliminua në fazën e grupeve. Serie A refuzoi kërkesën e federatës italiane të futbollit për të ndryshuar kalendarin e saj dhe për të zhvendosur ndeshjet e ligës nga fundjava para plejofit, gjë që do t'i lejonte trajnerit Roberto Mancini më shumë kohë me lojtarët e tij.
“Ka gjithmonë rezistencë të madhe nga klubet ndaj përfaqësueses”, tha presidenti i federatës Gabriele Gravina. “Përfaqësuesja shihet më shumë si një bezdi sesa diçka që bashkon një vend të tërë”.
Kohët e fundit, qendërsulmuesi Ciro Immobile u ndal nga hipja në aeroplanin e ekipit për në një ndeshje të Ligës së Kombeve në Hungari mes mosmarrëveshjeve rreth statusit të tij të lëndimit midis Italisë dhe klubit të tij, Lazio. Dhe të dielën, disa orë pasi Katari përballet me Ekuadorin në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, Italia do të luajë një miqësore kryesisht të pakuptimtë kundër Austrisë në Vjenë.
Edhe
Si mbeti Pirlo pa postin e selektorit të Italisë?
Federata italiane donte të zhvillonte miqësoren me Austrinë të shtunën për të shmangur konfliktin me Kupën e Botës, por transmetuesi shtetëror RAI thuhet se refuzoi, sepse preferoi të transmetonte emisionin “Dancing with the Stars” të shtunën mbrëma. Me Italinë moderne që është bashkuar në vitin 1861, rivalitetet e hidhura historikisht vazhdojnë midis veriut dhe jugut, dhe madje edhe qyteteve në të njëjtin rajon.
“Provincializmi ka qenë një çështje”, tha analisti i përfaqësueses së Italisë, Antonio di Gennaro. “Dhe për sa u përket lojtarëve që ndonjëherë nuk duan të shkojnë te Italia për shkak të problemeve të lëndimeve, këto janë situata që kanë të bëjnë me klubet”.
Kur Roma fitoi edicionin inaugurues të Ligës së Konferencës së Evropës të nivelit të tretë sezonin e kaluar, ky ishte titulli i parë evropian për një klub italian që kur Interi ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2010. Dështimet në rinovimin dhe ndërtimin e stadiumeve të reja, skandalet e trukimeve të ndeshjeve dhe vendimet e dobëta financiare kanë kontribuar të gjitha në rënien e ligës italiane - dhe rrjedhimisht të përfaqësueses së Italisë. Klubet italiane gjithashtu kanë hezituar të përdorin italianët e rinj, duke e detyruar Mancinin që ndonjëherë të mbështetet te lojtarët me pak përvojë – si kur e thirri 19-vjeçarin e atëhershëm Nicolo Zaniolo në vitin 2018, përpara se ai të shfaqej ndonjëherë në Serie A. Zaniolo konsiderohet tani një nga lojtarët më të mirë të Serie A.
“Klubeve tona u mungon guximi në këtë departament”, tha Di Gennaro. Dy penallti të humbura nga Jorginho në ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës ishin vendimtare për dëstimin e Italisë. Njëra ndeshje përfundoi 0:0, tjetra 1:1. Nëse Italia do të kishte fituar njërën nga këto dy ndeshje, do të kishte përfunduar përpara Zvicrës dhe do të kishte fituar automatikisht kualifikimin në turneun e Katarit.
Edhe
Tifozët italianë me “të vegjlit”, në mungesë të përfaqësueses së tyre
“Le të mos e persekutojmë Jorginhon. Por nëse humbisni dy penallti, përfundoni duke qëndruar në shtëpi”, tha Di Gennaro.
Ndryshe nga Gian Piero Ventura që humbi mbështetjen e lojtarëve dhe u shkarkua pas kualifikimit të dështuar për vitin 2018, Mancini e mbajti detyrën dhe tashmë po punon për një ringjallje të ekipit. Italia u kualifikua në finalen e Ligës së Kombeve në qershor me Kroacinë, Spanjën dhe Holandën. Dhe, Italia po kërkon të presë Kampionatin Evropian 2032, i cili do të përfaqësonte një mundësi kryesore për të rindërtuar stadiumet e shkatërruara të vendit. Mancini mund të llogarisë në një bërthamë lojtarësh të rinj si portieri Gianluigi Donnarumma dhe sulmuesit Zaniolo, Federico Chiesa, Giacomo Raspadori e Gianluca Scamacca për të ndryshuar gjërat. Wilfried Gnonto i panjohur ka bërë përshtypje edhe për Italinë së fundmi. Serbia dhe Polonia thirrën secila nga 11 lojtarë nga Seria A në ekipet e tyre të Kupës së Botës. Dhe Juventusi po dërgon 11 lojtarë në Katar. Pra, kë do të mbështesin tifozët italianë? Ata do të kërkojnë lojtarët e ekipeve të tyre. Tifozët e Juventusit do të mbështesin Dushan Vlahoviqin dhe Filip Kostiqin me Serbinë; tifozët e Interit do të ndjekin Belgjikën e Romelu Lukakut; dhe ata të Milanit do të jenë me Portugalinë shkaku i Rafael Leaos. Pra, gjithçka ka të bëjë me klubet - jo me Përfaqësuesen e Italisë.