Edicioni 2020/2021 në Superligën e Kosovës në basketboll është planifikuar të nisë më 23/24 shtator. Por, fillimi i sezonit të ri pritet të shtyhet për muajin tetor.
Vendimi përfundimtar pritet të merret të hënën në mbledhjen e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), shkruan KOHA.
Me vendimin për shtyrje të kampionatit, që pritet ta marrë Bordi i FBK-së, pajtohen edhe klubet e basketbollit.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten për KOHËN ka bërë të ditur se klubet nuk janë gati për ta nisur sezonin, për shkak të krizës financiare dhe organizative.
Ajo numëron disa faktorë që e shtyjnë FBK-në të marrë një vendim të tillë.
“Arsyeja e mundësisë për shtyrje të fillimit të sezonit në Superligën e Kosovës është kryekëput e lidhur me situatën e pandemisë, duke marrë parasysh faktin se ekipet nuk janë duke stërvitur për shkak të masave të Qeverisë dhe se në të njëjtën kohë jemi duke pritur ndihmën financiare nga pakoja emergjente me ç’rast ato mjete do t’i ndanim për klubet tona, basketbollistët dhe basketbollistet si një infuzion para fillimit të garave”, ka thënë Dushku.
Ajo insiston se Federata është e gatshme t’i organizojë garat, por që klubet nuk kanë kapacitet as financiar e as organizativ.
“Në gjendjen ku jemi tani, ne si Federatë jemi të gatshëm, por jo edhe klubet sepse nuk e kanë pasur atë mundësi, as në aspektin organizativ dhe as ekonomik. Ne do të koordinohemi me klubet tona para marrjes së iniciativës për t’u votuar në Bordin e FBK-së, pra gjithçka do ta bëjmë në koordinim me klubet”, është shprehur Dushku.
Në fakt klubet nuk kanë stërvitur qëkur janë ndërprerë aktivitetet sportive në vend shkaku i koronavirusit, derisa me masat e Qeverisë, nuk lejohen stërvitjet në ambiente të mbyllura.
Federata e Basketbollit ishte e vetmja prej federatave të mëdha që nuk e përfundoi kampionatin. Nuk ka shpallur asnjë kampion si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe të femrave. Pasi FBK-ja vendosi që t’i anulojë garat, klubet liruan basketbollistët e huaj. Peja është fituese e Kupës për edicionin e kaluar.
Edhe vetë klubet kanë pranuar se janë në krizë financiare dhe nuk e dinë nëse do të mund të zhvillojnë gara.