Sigal Prishtina, pas pesë edicioneve rresht, ka hequr dorë nga pjesëmarrja në kupat evropiane për sezonin 2020/21. E një vendim të ngjashëm si Prishtina, e kanë marrë edhe dy ekipet e tjera, Peja e Rahoveci, të cilat kanë pasur të drejtën e paraqitjes në këto gara.
Të tri skuadrat elitare të basketbollit të Kosovës kanë pranuar se ishin të detyruara të ndërmarrin një veprim të tillë për shkak të mungesës së financave, në të cilat ka ndikuar përhapja e pandemisë së koronavirusit dhe shpenzimeve të mëdha që do t’i kishin në rast të paraqitjes për pjesëmarrje në Evropë. Në fakt, ishte Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), që më herët bëri të ditur se ekipet janë pajtuar që të mos paraqiten në garat evropiane për sezonin 2020/21 për t’u fokusuar te kampionati vendor dhe Liga e Përbashkët me Shqipërinë, ku shpenzimet do të jenë më të vogla.
“Nuk do të kemi asnjë ekip që edicionin e ri do të garojë në kupat evropiane. Kur kemi pranuar shkresat nga FIBA për paraqitje të ekipeve, ne si Bord i FBK-së kemi vendosur që këtë çështje ta diskutojmë me klube që kemi dashur t’i informojmë se nëse kanë plan të marrin pjesë, atëherë duhet një mobilizim i madh, si dhe një depozitë prej 15 mijë eurosh. Pas gjithë kësaj, klubet janë pajtuar që këtë vit nuk ka kushte për kupa evropiane dhe fokusi mbetet te Liga e Përbashkët me Shqipërinë”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ditë më parë për KOHËN.
Edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës u anulua në fund të muajit mars për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. FBK-ja anuloi edicionin, por nuk shpalli kampionin. Skuadra e vetme që këtë edicion arriti ta mbyllte me trofe para se të anulohej edicioni është Peja, që arriti të triumfonte në Kupën e Kosovës. Në fakt, basketbolli ishte sporti i parë dhe i vetëm kolektiv në Kosovë që mori vendim për anulimin e garave.
“Ne vazhdimisht jemi në kontakte me klubet dhe i kemi parasysh vështirësitë që ua ka shkaktuar pandemia. Shpresojmë që ekipet të konsolidohen për brenda në edicionin e ri dhe të arrijnë më mirë ta menaxhojnë situatën financiare”, ka shtuar Dushku.