Një rekord i shpenzimeve nga klubet e Premier Leagues në afatin kalimtar të verës kaloi shifrën e 2.2 miliardë eurove, përpara se afati të mbyllej të enjten, me Manchester Unitedin, Manchester Cityn, Liverpoolin dhe Chelsean që transferuan lojtarë për të forcuar edhe më shumë ekipet.
Në fakt ky është shpenzimi më i madh në histori të Premier Leagues, duke tejkaluar rekordin e vendosur para edicionit 2017/18 prej 1.9 miliardë eurosh.
Transferimi kryesor në një ditë të fundit zakonisht të furishme, ishte braziliani Antony që iu bashkua Unitedit nga Ajaxi për 90 milionë euro, duke u bërë lojtari i katërt më i shtrenjtë në historinë e Premier Leagues dhe transferimi më i shtrenjtë i ditës së fundit. Blerja e Antonyt e çoi shpenzimin total të Unitedit në këtë afat kalimtar në rreth 240 milionë euro - një shifër e arritur në të gjithë Evropën vetëm nga Chelsea, ekip që në ditën e fundit transferoi sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang nga Barcelona. Në afatin e parë të transferimeve të klubit në epokën pas Roman Abramovichit, Chelsea shpenzoi 280 milionë euro. Manchester City në ditën e fundit reagoi me transferimin e qendërmbrojtësit të Zvicrës, Manuel Akanji, për 17.5 milionë euro nga Borussia Dortmundi, ndërsa Liverpooli e huazoi brazilianin Arthur Melo nga Juventusi për ta forcuar repartin e mesfushës që është goditur nga lëndimet.
Të ushqyera nga të ardhurat e marrëveshjeve të mëdha të transmetimeve globale me vlerë mbi 10 miliardë euro gjatë tri sezoneve, klubet e Premier Leagues angleze kanë rikthyer nivelet e shpenzimeve para pandemisë, për të lënë pjesën tjetër të Evropës nën hije. Klubet elitare të Anglisë shpenzuan pothuajse më shumë se që shpenzuan klubet në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë së bashku.
Biznesin më të madh në Angli gjatë afatit kalimtar të verës e ka bërë Nottingham Foresti, që është rikthyer në Premier League për herë të parë që nga viti 1999. Foresti transferoi tre lojtarë në ditën e fundit për të çuar numrin e përgjithshëm të përforcimeve në 21, me një kosto prej 160 milionë eurosh në total.
“Si klub kemi menduar se kemi nevojë për sa më shumë përforcime për të siguruar mbetjen në Premier League edhe për sezonin e ardhshëm. Kështu që të gjithë këta lojtarë kanë qenë të nevojshëm. Po ashtu, edhe tifozët janë të kënaqur me aktivitetin tonë në afatin kalimtar të verës dhe tani presin rezultate”, ka thënë trajneri i Forestit, Steve Cooper.
E ardhmja e Cristiano Ronaldos ka qenë temë kryesore e afatit kalimtar të verës. Portugezi insistonte të largohej nga Unitedi për shkak se dëshironte të luante në Ligën e Kampionëve, por asnjë klub i madh evropian nuk shfaqi interesim për 37-vjeçarin. Kështu që Ronaldo do të mbetet në “Old Trafford” të paktën deri në miniafatin kalimtar të dimrit apo edhe deri në fund të edicionit, kur edhe i skadon kontrata me Unitedin.
Në ndeshjen e fundit kampionale, të cilën Unitedi e fitoi ndaj Leicester Cityt të enjten mbrëma, Ronaldo u inkuadrua në pjesën e dytë. Ndërsa pas ndeshjes trajneri Erik ten Hag insistoi se llogarit këtë edicion në yllin portugez. Transferimi i Antonyt do të shtojë konkurrencë në fazën e sulmit, me Ronaldon që në pesë ndeshjet e fundit në Premier League vetëm një herë ka qenë titullar. Rindërtimi i Unitedit nën urdhrat e Ten Hagut u përfundua me huazimin e portierit Martin Dubravka nga Newcastle, i cili do të jetë rezervist i spanjollit David De Gea.
“Në përgjithësi kemi bërë një punë të mirë me përforcimet. Dhe tani na mbetet të punojmë për t’i përshtatur të gjithë që të kemi rezultate të mira”, tha Ten Hag.
Fulhami kishte një fund të ngarkuar te afatit kalimtar, duke sjellë tre sulmues dhe një mbrojtës në ditën e fundit. Braziliani Willian është kthyer në Premier League pas periudhave të mëparshme tek Arsenali e Chelsea, ndërsa ish-sulmuesi i Unitedit, Daniel James, u huazua nga Leedsi. Sulmuesi brazilian Carlos Vinicius u bashkua nga Benfica, ndërsa Fulhami solli mbrojtësin e majtë, Layvin Kurzawan si huazim nga Paris Saint-Germaini.
Parisi e “tkurri” më tej ekipin duke e shitur mesfushorin e Senegalit, Idrissa Gueye, tek Evertoni. Kjo skuadër nënshkroi edhe me sulmuesin e ri, James Garner, nga Manchester Unitedi.
Një shpenzim i ditës së fundit nga Southamptoni rezultoi në katër transferime, duke përfshirë mbrojtësin kroat Duje Çaleta-Car, i cili u largua nga Marseille.
Aston Villa transferoi mesfushorin belg Leander Dendoncker nga Wolverhamptoni. Leicesteri zgjodhi ditën e fundit për të bërë transferimin e parë dhe të vetëm gjatë kësaj vere. Wout Faes iu bashkua nga Reimsi. Faes plotësoi vendin bosh të lënë nga Wesley Fofana, i cili iu bashkua Chelseat të mërkurën për 85 milionë euro.
Qasj e Leicesterit këtë verë ka pasur ndikim negativ në rezultate dhe për këtë u ankua edhe trajneri Brendan Rodgers. Pas pesë xhirove të luajtura në Premier League, Leicesteri zë vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë të mbledhur.
“Me respektin më të madh, ne nuk kemi pasur ndihmën nga tregu që i duhej këtij ekipi”, pranoi Rodgers.