Jurgen Klopp ka konfirmuar se Fabinho është shqetësimi i fundit i fazës defensive. Tekniku gjerman bëri të ditur se braziliani nuk do të jetë i pranishëm në udhëtimin që Liverpooli do ta ketë te skuadra e Leicester Cityt.
Mbrojtja e Liverpoolit sivjet ka pasur goditje të mëdha në mungesa, pasi të konfirmuar jashtë fushave për një kohë të gjatë janë edhe Virgil van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip.
“Fab nuk do të jetë i gatshëm. Ka pasur lëndim në muskul dhe do të jetë jashtë për këtë ndeshje”, ka thënë Kloppi të premten para gazetarëve.
Mungesa e Fabinhos mund t’ia hapë derën njërit prej transferimeve të janarit, Ozan Kabak nga Schalke, apo Ben Daviesit nga Preston North End.
Liverpooli nuk është në formë të mirë në vitin 2021. I ka humbur katër ndeshje, tri prej të cilave kanë ardhur në stadiumin “Anfield”. Paraprakisht, në “Anfield”, Liverpooli nuk dinte humbje në 68 ndeshje të njëpasnjëshme.