Sport

Kloppi kërkon “sfidën e trajnerit” për penallti gjatë ndeshjeve

Trajneri i Liverpoolit, Juregen Klopp, është shprehur në favor të futjes së një “sfide të trajnerit” për vendimet e arbitrave në futboll, pas barazimit të diskutueshëm 1:1 të Borussia Dortmundit me Bochumin, të premten e shkuar.

Klopp, që është ish-trajner i ekipit nga Bundesliga, Dortmundit, ka një histori të përplasjeve me drejtuesit e ndeshjes dhe po përballet me akuza nga Federata e Futbollit e Anglisë për përbuzjen ndaj gjyqtarit Paul Tierney, pas përfundimit të ndeshjes ndaj Tottenhamit, të cilën Liverpooli e fitoi 4:3 të dielën e shkuar në “Anfield Road”.

Duke folur për revistën gjermane të futbollit “Kicker”, të enjten, Klopp tha se ideja që trajneri të kishte të drejtën të sfidonte një vendim kontestues të gjyqtarit ka funksionuar në sporte të tjera. Në fakt kjo përdoret në lojën e basketbollit. Trajneri në basketboll mund të kërkojë rishikim të situatës dhe më pas këtë e bëjnë arbitrat përmes videoxhirimeve.

“Një sfidë do të ishte zgjidhje për të shmangur përsëritjen e asaj që ndodhi në ndeshjen e Dortmundit me Bochumin”, tha Klopp, duke e quajtur futjen e të drejtës së sfidimit të vendimit të gjyqtarit si një ide interesante për futbollin. “Ka shumë shembuj të mirë se si kjo mund të funksionojë, në hokej e basketboll, për shembull, dhe sfida ka dëshmuar prej kohësh vlerën e saj”.

Futbolli amerikan i lejon trajnerët të sfidojnë vendimet gjatë lojës, njëjtë si NBA-në dhe liga e ragbit në SHBA. Ndërsa tenisi i lejon lojtarët të rishikojnë vendimet e arbitrit.

Në Gjermani, një vendim i arbitrit të premten e kaluar i kushtoi ish-klubit të Kloppit, Dortmundit, me humbjen e vendit të parë në Bundesligë. Në ndeshjen kundër Bochumit, sulmuesi Karim Adeyemi u rrëzua në zonë nga mbrojtësi Danilo Soares, por kjo nuk u vlerësua si ndërhyrje për të dhënë penallti nga gjyqtari Sascha Stegemann. Sipas tij, nuk pati kontakt dhe situata nuk u rishikua fare në VAR. Stegemann dhe Federata e Futbollit e Gjermanisë pranuan një ditë pas ndeshjes së vendimi ishte plotësisht i gabuar, pasi kontakti ekzistonte dhe do të duhej të jepej penallti në favor të Dortmundit.

“Në retrospektivë, më duhet të them se do të isha i lumtur të jepja një penallti për Dortmundin nëse do ta kisha shikuar situatën përsëri”, ka thënë Stegemann.

Dortmundi barazoi 1:1 në atë ndeshje, duke i mundësuar Bayernit që ta rimarrë pozitën e parë në tabelë, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të këtij edicioni. Aktualisht Bayerni ka 62 pikë të mbledhura, një më shumë se Dortmundi që renditet në pozitën e dytë. Klopp, i cili ishte trajneri i Dortmundit herën e fundit kur skuadra fitoi titullin e kampionit të Gjermanisë, në edicionin 2011/12, iu drejtua arbitrit Stegemann se rishikimi i asaj ndërhyrjeje ndaj Adeyemit “ishte më e pakta që VAR-i duhej të kishte bërë”. Klopp tha se ai “nuk e kuptonte më botën” kur pa situatën dhe mësoi se nuk u akordua penallti për Dortmundin.

Në Angli, Klopp është në një situatë të nxehtë pasi sugjeroi se gjyqtari Tierney po vepronte kundër Liverpoolit, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes me Tottenhamin. Federata angleze u përgjigj duke akuzuar Kloppin për sjellje të pahijshme, duke thënë se fjalët e tij “nënkuptojnë njëanshmëri, ose vënë në pikëpyetje integritetin e gjyqtarit, dhe janë fyese”.