Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp ka thënë se barazimi 2:2 me Manchester Cityn është “rezultat me të cilin duhet të jetojmë”.
Lideri City mbetet një pikë para Liverpoolit, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në fund të edicionit në Premier League.
“Ishte si duel i boksit. Ju ulni duart për një sekondë dhe merrni një goditje që ua dridh këmbët”, ka thënë Klop. “Ishte ndeshje e madhe dhe rezultat me të cilin duhet të jetojmë dhe do të jetojmë. Çfarë ndeshje. E egër. Intensiteti i ndeshjes ishte i çmendur”, ka shtuar Klopp.
Klopp ndien se skuadra e tij ishte afër si kurrë më parë.
“Shtatë ndeshje deri në fund dhe ne nuk do ta ndalim luftën. Kjo është e sigurt. Duhet të sigurohemi që të jemi gati për Benfican, për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës FA në Wembley dhe më pas do të shohim se kush do të ketë finish më të mirë”, ka shtuar Klopp.