Afati kalimtar i verës është më i ngarkuari në futboll, pasi skuadrat synojnë të përforcohen në mënyrën më të mirë të mundshme për sezonin e ri. Krahas ofertave të majme dhe kontratave që u ofrohen futbollistëve, klubet përfshijnë edhe klauzola të ndryshme. Në kontratat e lojtarëve ka raste kur klauzolat nuk kanë të bëjnë me aspektin ekomomik. Më poshtë po paraqesim pesë klauzolat më të çuditshme në historinë e futbollit, të caktuara nga klubi apo të kërkuara nga futbollisti.
Luis Suarez
Barcelona e transferoi sulmuesin Luis Suarez në vitin 2014 nga Liverpooli dhe uruguaiani më herët kishte pasur një skenë aspak të hijshme në fushën e futbollit. Suarez e kishte kafshuar mbrojtësin Giorgio Chiellini në ndeshjen mes Uruguait dhe Italisë në kuadër të Kampionatit Botëror, “Brazili 2014”. Për këtë arsye, te Barcelona donin të siguroheshin që një episod i tillë të mos ndodhte më. Kështu që, drejtuesit e Barçës u siguruan se në kontratën e Suarezit të përfshihej një klauzolë kundër kafshimit të lojtarëve kundërshtarë. Nëse Suarez kafshonte sërish një rival tjetër, ai do të duhej t'i paguante kompensim Barcelonës.
Stefan Schwartz
Reprezentuesi i Suedisë, Stefan Schwarz, kishte vendosur që pas një viti në La Liga ta vazhdonte karrierën në Premier League. Ai në vitin 1999 iu bashkua Sunderlandit nga Valencia dhe skuadra angleze kishte përfshirë një klauzolë me të cilën kishte mbetur i habitur edhe lojtari. Në kontratën e tij ishte vendosur klauzola që ia ndalonte atij udhëtimin në hapësirë. Te Sunderlandi kishin mësuar se një mik i futbollistit e kishte blerë një biletë për një fluturim në hapësirë për vitin 2002. Kështu që, Sunderlandi nuk donte që ai të kishte asnjë shans për ta marrë edhe Schwarzin me vete.
Edhe
Suarezi vazhdon kontratën me Inter Miamin
Rafael van der Vaart
Holandezi Rafael va nder Vaart po shihej si përforcim i madh për Real Betisin në vitin 2015, kur vendosi t’i bashkohej nga Hamburgu. Megjithatë, para se Van der Vaart të pranonte ofertën e Betisit, krerët e klubit spanjoll e kishin paralajmëruar për klauzolën e çuditshme që do ta përfshinin në kontratën e tij. Në atë klauzolë ishte e cekur se Va nder Vaart nuk do të mund të luante me këpucët e tij të preferuara me ngjyrë të kuqe për shkak se përkonin me Sevillan, rivalin më të madh të qytetit.
Mario Balotelli
Bota e futbollit e njeh shumë mirë karakterin “rebel” të sulmuesit Mario Balotelli. Pothuajse në secilin ekip që ka luajtur gjatë karrierës së tij, Balotelli ka shkaktuar ndonjë skandal. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi gjatë periudhës sa sulmuesi ishte pjesë e skuadrës së Milanit. Balotelli luajti për Milanin për dy vjet (2014-2016) dhe klubi nga Serie A kishte ndërmarrë veprime para se ta transferonte në “San Siro” që sulmuesi mos të bënte skandale. Një klauzole “antiskandal” ishte përfshirë në kontratën e tij dhe kjo e ndalonte Balotellin të ndryshonte stilin e flokëve dhe po ashtu nuk e lejonte të postonte mesazhe kontroverse në rrjetet sociale.
Edhe
Premier League me shpenzimet më të mëdha, Jashari më i shtrenjti në Itali
Romeo Castelen
Gjëja më normale për një klub futbolli është që futbollistin ta paguajë me pagë javore, mujore apo vjetore. Mirëpo, kështu nuk është rasti edhe me holandezin Romeo Castelen. Kërkesa e holandezit i kishte habitur të gjithë te Volga Nizhny Novgorod, pasi ai kishte pranuar transferimin në Rusi në vitin 2013. Kërkesa e Castelenit ishte shumë e thjeshtë. Ai kishte kërkuar të paguhet ndryshe prej të tjerëve, për minutat që i kalon në fushë. Kështu që, deri më tani, ai mbetet futbollisti i vetëm në histori që është paguar për çdo minutë që e ka kaluar në fushë. Megjithatë, aventura e tij nuk zgjati shumë tek ekipi rus.