Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KF Prishtina e lumtur që arriti njërin prej dy objektivave, flasin Josa e Pefqeli

Ndërsa në taborin e Prishtinës gëzimi ishte i madh, pasi ata arritën të fitonin njërin prej objektivave që kishin prej fillimit të kampionatit. Trajneri Mirel Josa nuk e fshehu aspak gëzimin duke deklaruar se edhe pse nuk bënë lojën më të mirë, Prishtina e ka merituar këtë trofe.

“Për mua ka rëndësi që është fituar ndeshja e fundit e sezonit. Ishte finalja e Kupës, ishte njëri nga dy objektivat e skuadrës. Nuk do të thotë se është fituar kjo ndeshje dhe të gjitha problemet e Prishtinës, sepse më takon të flas për skuadrën time, morën fund. Ne e kishim parashikuar një ndeshje të vështirë, siç bisedova edhe me djemtë para ndeshjes, pavarësisht se Vëllaznimi vjen pas një goditje psikologjike shumë të fortë ditën e enjte. Unë mund të them se duhet të kishim bërë shumë më mirë, pavarësisht se ne ishim në avantazh, për menaxhimin e lojës dhe për dyfishimin e rezultatit duhet të kishim qenë shumë më të kujdesshëm”, tha Josa.

Mërgim Pefqeli, i cili në ndeshjen kundër Vëllaznimit ishte kapiten i skuadrës, për shkak të mungesës së Dallkut, deklaroi se Prishtina me mungesa të shumta arriti të zhvillojë një ndeshje të mirë.

“Normal pritjet e klubit kanë qenë, dy synimet ose vendi i parë në Ligë ose Kupa. Ne arritëm që të fitonim Kupën, nuk është ndonjë gjë qe thonë Prishtina duhet t’i fitojë të gjitha kupat. Ne sivjet e fituam kupën jemi në Evropë dhe shpresoj se do të vazhdojmë të kalojmë ndonjë grup. Normal, kemi pritur se pas rënies nga liga, ata nuk kanë pasur çfarë të humbin, kanë luajtur të liruar dhe ne kemi pasur disa mangësi si Dallku, Curri dhe Taipi, gjithsesi loja s’ka qenë e keqe. Ne luftuam deri në fund dhe ia arritëm”, tha Pefqeli.

Prishtina pas këtij triumfi pritet të luajë në parakualifikimet e Evropa Ligës dhe pritjet janë shumë të mëdha, duke besuar në suksese të mëdha. Skuadra nga kryeqyteti e kishte të garantuar plasmanin në parakualifikimet për Euroligë, meqë edhe po të fitonte Vëllaznimi nuk do të mund të garonte për shkak të mungesës së licencës.