Sport

Këto janë shtatë veçoritë që e bëjnë Mbappen yll të futbollit

Doha, 7 dhjetor (BBC) - Franca do të takohet me Anglinë në çerekfinale të Botërorit të shtunën dhe një lojtar në veçanti është në mendjen e të gjithëve.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, është padyshim një prej lojtarëve më të mirë në botë për momentin.

Por, çfarë e bën kaq të veçantë yllin francez të futbollit?

“BBC-ja” ka rreshtuar shtatë veçori që për momentin askush nuk i ka.

1. Është lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori të futbollit

Në vitin 2017, Mbappe iu bashkua PSG-së, fillimisht si i huazuar nga Monaco, para se të kalonte përfundimisht te kjo skuadër më vonë gjatë atij viti për 180 milionë euro.

Ai ende është lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori të futbollit. Marrëveshja më e shtrenjtë është Neymari, që për 222 milionë euro, kaloi nga Barcelona te Paris Saint-Germaini në vitin 2017.

Mbappe ka shënuar 190 gola në 237 ndeshje për kampionin francez, ku luan bashkë me Neymarin dhe yllin argjentinas, Lionel Messin.

2. Fitues i vazhdueshëm i trofeve

Në shtatë vjet në futbollin profesionist, Mbappe ka fituar:

-Kupën e Botës 2018
-Ligën e Kombeve në edicionin 2020/21
-Pesë tituj të Ligue 1 në Francë (katër me PSG-në dhe një me Monacon)

-Tri Kupa të Francës

-Dy Kupa të Ligës së Francës

Në aspektin individual, Mbappe e ka fituar çmimin Djaloshi i Artë – që u jepet lojtarëve më të mirë në kampionatet evropiane për grupmoshën U21. Këtë çmim e fitoi në vitin 2017.

Ai është emëruar dy herë futbollisti më i mirë francez dhe lojtari më i mirë i vitit në Ligue 1, si dhe e fitoi çmimin si lojtari më i mirë i ri i vitit tri herë.

Ai është vlerësuar të jetë futbollisti më i mirë i ri i vitit 2018 në Kupën e Botës dhe ka qenë golashënuesi më i mirë në Ligue 1 të Francës në katër sezone.

Dhe po ashtu e ndihmoi PSG-në të arrijë në finalen e parë në Ligën e Kampionëve në vitin 2020, pavarësisht se ishte mposhtur nga Bayern Munichu.

3. Vazhdon shkëlqimin në Kupë të Botës

Mbappe, si 19-vjeçar, luajti rol vendimtar në triumfin e Francës në Botërorin “Rusia 2018”, duke shënuar katër gola.

Shënimi i tij në finalen e fituar 4:2 ndaj Kroacisë e ka bërë atë tinejxherin e dytë që shënon në finale të një Botërori, pas legjendës së Brazilit, Peles, që kishte realizuar në vitin 1958.

Mbappe është golashënuesi më i mirë në Katar me pesë gola deri tani, ndërsa ka nëntë gola në total.

Tashmë e ka kaluar Diego Maradonan në këtë statistikë, i cili kishte shënuar tetë gola për Argjentinën, si dhe Cristiano Ronaldon e Portugalisë.

Në fakt, ai është lojtari më i ri që shënon nëntë gola në Kupa të Botës.

E ka thyer rekordin e Eusebios, i cili kishte realizuar tetë gola për Portugalinë, me 24 vjet e 182 ditë.

4. Ka thyer rekorde në moshë të re

Mbappe, i cili u lind në periferi të Parisit dhe nisi të luajë për skuadrën lokale, AS Bondy, debutoi për ekipin e parë të Monacos në vitin 2015.

Me 16 vjet e 347 ditë, ai u bë lojtari më i ri që ka luajtur në histori të klubit.

Theu rekordin e vendosur nga legjenda e Francës dhe Arsenalit, Thierry Henry, në vitin 1994 – kur kishte hyrë në lojë në minutën e 88-të si zëvendësues kundër Caenit.

Tre muaj më vonë, ai u bë golashënuesi më i ri i klubit që shënoi me ekipin senior. Kishte realizuar kundër Troyesit.

Kush e mbante këtë rekord më parë? Henry.

5. Është jashtëzakonisht i shpejtë

Gjatë fitores 3:1 të Francës kundër Polonisë, shpejtësia maksimale e Mbappes kishte arritur në 35.3 km/h dhe para ndeshjes të së dielës, vetëm gjashtë lojtarë kishin regjistruar sprinte më të shpejta se ai në këtë Kupë të Botës.

Në muajin shtator, Ligue 1 kishte shkruar se ai është lojtari më i shpejtë në ligë këtë sezon, me shpejtësinë e arritur prej 36 km/h.

Kujtojmë që xhamajkani dhe legjenda olimpike e sprintit, Usain Bolt, kishte vendosur rekord botëror të 100 metrave vrapim për 9.58 sekonda në vitin 2009, me shpejtësi mesatare prej 37.58 km/h, ndonëse shpejtësia e tij maksimale ishte 44.72 km/h në sektorin 60-80 metra.

6. Refuzoi para të mëdha nga Real Madridi verën e kaluar

Pas kontakteve për kohë të gjatë nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dhe pas pajtimit financiar me gjigantin e La Ligas, Mbappe vendosi të qëndronte në Paris dhe të nënshkruante marrëveshje trevjeçare.

Sipas ekspertit spanjoll të futbollit, Guillem Balague, të dyja klubet ishin pajtuar që të paguhet dëmshpërblimi prej 150 milionë eurosh për transferimin e tij.

Megjithatë, ai nuk e ka mohuar kalimin te kampioni spanjoll dhe evropian në të ardhmen, duke i thënë “BBC-së” në muajin maj se ëndrra e tij te Real Madridi nuk ka “mbaruar asnjëherë”.

7. Ylli kokulur botëror

Në muajin tetor, Mbappe ishte në krye të listës si futbollisti që fiton më së shumti para – për herë të parë që nga koha e Messit dhe Ronaldos, të cilët mbajtën kreun e kësaj liste për nëntë vjet.

Thuhet se Mbappe do të fitojë këtë sezon 128 milionë dollarë.

Mbappe është po ashtu shumë i popullarizuar në mediat sociale.

Në kombinim me Facebookun, Instagramin dhe Twitterin, ai ka rreth 100 milionë ndjekës.

Bashkë me Ronaldon, Messin dhe Neymarin, Mbappe ka hyrë në listën e futbollistëve më me ndikim në Instagram, për shkak të Botërorit të këtij viti.

Fotografia e tij në lojën “FIFA 21” ka bërë që Mbappe të jetë sportisti më i ri që del në faqen e parë të ndonjë loje.

Pasi e fitoi Kupën e Botës katër vjet më parë, Mbappe njoftoi se do ta dhurojë për bamirësi pagën e tij 380 mijë funte të turneut.