Sam Kerr ka pranuar se “i pëlqente” kur shihte tifozët “e mrekullueshëm” të Vllaznisë që hidhnin tymues me ngjyra, pas paraqitjes së saj mbresëlënëse me Chelsean në Evropë.
Kerr ishte e pandalshme në ndeshjen e fazës grupore të Chelseat në Ligën e Kampionëve kundër skuadrës shqiptare, Vllaznisë.
Ajo realizoi katër gola në fitoren 8:0 të mërkurën mbrëma.
Tifozët mysafirë kanë përdorur disa herë tymuese me ngjyra të cilat i dhuronin pamje tjetër stadiumit Kingsmeadow në Londër.
“Më pëlqeu – mendoj se ishte e jashtëzakonshme. Po mendoja që t’i ngacmoja ata por njerëzit mund ta marrin për të keq. Mendoj se kjo e bën futbollin kaq të mirë, janë tifozët vendës e mysafirë. Kur e shënova golin e dytë e mendoja një gjë të tillë, por më pas u ndala. Megjithatë, do të ishte pa ndonjë qëllim të keq. Ndoshta nuk duhet ta them këtë, por kur ata hidhnin tymuese me ngjyrë, më pëlqente me të vërtetë”, ka thënë ajo për “Goal.com” pas ndeshjes.
Kerr njihet për festimin e veçantë në mënyrë akrobatike dhe kur e realizoi golin e tretë personal, ajo nuk i zhgënjeu tifozët të cilët e prisnin një gjë të tillë.
“Nuk ishte në plan, por pas përfundimit të pjesës së parë, Millie Bright më tha: ‘Nëse shënon tre gola a mund ta bësh të lutem gëzimin me rrotullim’. Nuk e kisha bërë për një kohë të gjatë dhe ky ishte ‘hat-tricku’ im i parë në Ligën e Kampionëve. Do të jetë natë për t’u kujtuar gjithmonë”, ka thënë ajo.