Më 26 nëntor, në Bratislavë, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll duhet të luajë ndaj Sllovakisë. Dy ditë më vonë në të njëjtin vend, Kosova duhet të luajë ndaj Islandës. Janë këto dy ndeshjet e ardhshme të grupit B të raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023.
Por basketbollistët e Kosovës të shtunën kanë dalë me një kërcënim publik. Kanë thënë se nuk do t’i përgjigjen ftesës për të luajtur për Kosovën nëse mbetet në fuqi vendimi i Qeverisë për të pezulluar aktivitetet sportive.
Në fundjavë nuk janë luajtur ndeshje të basketbollit në vend, pasi Qeveria të premten pezulloi një vendim të 1 nëntorit që thoshte se lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllua dhe të hapura. Vendimi është ende në fuqi, por FFK-ja ka caktuar terminë për ndeshje prej të martës e tutje. Të dielën u luajt një ndeshje ndërkombëtare në hendboll, ndërsa lidhur me aktivitetet e tjera sportive ka paqartësi.
Basketbollistët janë të vendosur të vazhdojnë me aktivitete dhe kanë luajtur rolin e tyre në rritjen e presionit ndaj autoriteteve të vendit. Është Urim Zenelaj që ka bërë një postim në “Facebook” e që është shpërndarë edhe nga lojtarë të tjerë.
Zenelaj ka shkruar se sportistët kanë përfillur të gjitha rekomandimet dhe se në basketboll nuk ka asnjë rast me koronavirus. Zenelaj ka shkruar se basketbollistët nuk janë paguar për tetë muaj dhe nuk kanë marrë ndonjë ndihmë për këtë kohë.
Edhe
Shpallet lista e Kosovës për ndeshjet me Shqipërinë dhe Sllovakinë
“Si lojtarë profesioni që jemi, me këtë profesion mbajmë familjet dhe është çudi se si askujt nuk i shkoi në mend për tetë muaj për krenarinë e shtetit – sportistët, për gjendjen financiare dhe emocionale. Edhe pse në shkurt këta lojtarë ishin krenaria e Kosovës, me sukseset e treguara me Përfaqësuesen, fatkeqësisht shumë shpejt u harruan nga Qeveria, Ministria dhe të gjithë me radhë”, ka shkruar Zenelaj në emër të lojtarëve.
“Ne të gjithë basketbollistët e Kosovës, pa dëshirën tonë, por të nxitur nga neglizhenca dhe injorimi total nga Qeveria, KOK-u dhe FBK-ja, kemi vendosur që në rast se Qeveria nuk e rishqyrton vendimin për pezullimin e aktiviteteve sportive dhe në veçanti basketbollin, nuk do t’i përgjigjemi ftesës së Përfaqësueses së Kosovës në lojërat e nëntorit”, shkruan në reagimin e lojtarëve të paraqitur nga Zenelaj. Basketbollistët kanë kërkuar përkrahje nga tifo-grupet. Në deklaratë është bërë një lëshim, pasi shkruan se mund të sigurohet kualifikimi në Euro 2023, ndërsa bëhet fjalë për kualifikimet për Botërorin 2023.
Kapiteni dhe lider i Kosovës, Dardan Berisha, ka thënë se i qëndron prapa letrës së publikuar të shtunën. Berisha luan për Pejën, që nisi mirë edicionin.
“Ne u qëndrojmë prapa të gjitha fjalëve të cilat i kemi shkruar në lidhje me ndërprerjen e kampionatit. U bëj thirrje institucioneve qeverisëse që të mos ndërpresin aktivitetet sportive, pasi do të mbesim shumë prapa me përgatitjet. Ne luajmë për Kosovën pa asnjë interes, pasi mundohemi që të bëjmë krenar vendin tonë me paraqitje dinjitoze në ndeshje ndërkombëtare. Në rast se nuk do të vazhdojë kampionati, atëherë ne nuk do të kemi mundësi të përgatitemi. Kështu edhe nuk do të luajmë”, ka thënë Berisha për KOHËN, të dielën mbrëma.
Vendimi i Qeverisë erdhi pas rasteve të shumta me COVID-19. Janë ndërmarrë masa të shumta, ndër të tjera, edhe kufizuese ndaj sportit.
Edhe
“Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes
Basketbolli ishte goditur më së shumti edhe në pranverë. FBK-ja kishte vendosur të mos e vazhdojë kampionatin.
“Fillimisht u anulua kampionati për shkak të gjendjes me koronavirus dhe kemi pasur pauzë të gjatë, që na ka dëmtuar shumë. Edhe kampionati ka nisur me vonesë dhe nuk jemi në formën më të mirë. Nuk kemi kohë që të humbim, ndërsa dihet rëndësia e këtyre takimeve. Shpresoj dhe besoj që institucionet e vendit të mirëkuptojnë situatën në të cilën jemi dhe të vazhdohet kampionati”, ka theksuar Berisha.
Ai ka folur edhe për ndikimin financiar të pezullimit më të gjatë të aktivitetit.
“Të gjithë e dimë se me çfarë problemesh të mëdha financiare janë duke u përballur klubet. Nuk jemi ndihmuar aspak dhe jemi duke kaluar momente shumë të vështira. Me këtë situatë ka qenë e vështirë për klubet të konsolidohen dhe të gjejnë sponsor pas krizës së shfaqur. Shpresojmë se do të ndihmohemi, pasi jemi duke kaluar momente të vështira”, ka thënë Dardan Berisha.
Kosova më 20 shkurt fitoi 80:78 ndaj Islandës, ndërsa më 23 shkurt fitoi 84:80 ndaj Luksemburgut.
Edhe
Pa forcën e zakonshme, por Kosova kërkon suksesin ndaj Sllovakisë
Aktualisht cilësia e basketbollit po vlerësohet goxha e ulët.
FBK-ja nuk ka bërë ndonjë prononcim lidhur me kërcënimin e lojtarëve.