Sport

KB Rahoveci e KB Ponte Prizreni shënojnë fitore në Superligë

KB Rahoveci ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Trepçës, derisa fitore ka shënuar edhe Ponte Prizreni, por në udhëtim te Lipjani.

Rahoveci ka shënuar fitoren e katërt në katër ndeshje të stinorit pranveror, duke mundur në udhëtim Trepçën me rezultat 82:92 (16:23, 21:25, 20:18, 25:26), në kuadër të javës së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Mysafirët nga Rahoveci e kanë nisur ndeshjen më mirë dhe arrijnë të fitojnë çerekun e parë me rezultat 16:23. Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, që e fituan 21:25, kurse skuadrat shkuan në pushim me rezultat 37:48. Në periodën e tretë u zhvillua lojë më e barabartë dhe mitrovicasit e fitojnë këtë pjesë 20:18. Edhe 10 minutat e fundit ishin të barabartë (25:26), por Rahoveci ruajti epërsinë e krijuar dhe fitoi në fund 82:92.

Te Trepça më të dalluarit ishin Dj Hanes me 33 pikë e gjashtë kërcime dhe Alante Fenner me 17 pikë e nëntë kërcime, kurse te Rahoveci më të mirët ishin Alban Veseli me 25 pikë e katër kërcime dhe Darell Davis me 22 pikë e gjashtë kërcime.

Trepça ka katër fitore dhe 15 humbje, kurse Rahoveci 15 fitore dhe pesë humbje.

Derisa Ponte Prizreni ka mundur në udhëtim Lipjanin me rezultat 77:97 (19:24, 19:23, 20:29, 19:21) në kuadër të javës së 22-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Prizrenasit e filluan ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 19:24, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, që e fituan 19:23, për të shkuar në pushim me rezultat 38:47. Ponte vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke e fituar këtë pjesë 20:29. 10-minutëshi i fundit përfundoi 19:21 dhe Ponte Prizreni shënoi fitore me rezultat 77:97.

Te Lipjani u dalluan Tamas Bruce me 22 pikë e 17 kërcime dhe Joshua Boutte me 20 pikë dhe 19 kërcime, derisa te Ponte Prizreni më të mirët në fushë ishin Ty Nichols me 22 pikë e gjashtë asistime, Dariel Franklin me 15 pikë e 10 kërcime dhe Urim Zenelaj me 13 pikë e 17 kërcime.

Lipjani ka një fitore dhe 19 humbje, derisa Ponte Prizreni 12 fitore dhe tetë humbje.