Palestra “Karagaçi” në Pejë dhe ajo “Bill Clinton” në Ferizaj në fundjavë do të jenë arena të ndeshjeve ndërkombëtare të hendbollit.
Në “Karagaçi”, Istogu e pret skuadrën portugeze 1 Maio/Ada. Istogu garon në raundin e dytë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollisteve. Ndeshja e parë është të shtunën, prej orës 18:00, ndërsa e dyta të dielën, prej orës 18:00.
Në Istog është hapur palestër e re pak vjet më parë, por për shkak të ndërtimit shumë të keq, që zgjati mbi një dekadë, dhe mirëmbajtjes edhe më të keqe, palestra thuajse është shkatërruar. Gjendja e saj nuk mundëson që të luhen ndeshje evropiane. Për këtë arsye klubi i hendbollisteve Istogu është detyruar të zhvillojë ndeshjet në Pejë.
Në Istog fundjavën e kaluar nuk zhvilloi ndeshje as skuadra e basketbollit nga ky qytet. KB Istogu si vendas luajti në Rahovec në kuadër të Superligës. Është premtuar rinovimi i palestrës në Istog gjatë verës, por kjo nuk ka ndodhur. Dhe si zakonisht, çmimin e paguajnë sportistët.
KHF Istogu për herë të shtatë paraqitet në gara evropiane. Deri më tani në dy raste e ka kaluar nga një kundërshtar. Këtë synim e ka edhe tani. Ndeshjet me skuadrën portugeze pritet të jenë të forta.
Në “Bill Clinton”, dy ndeshje evropiane i luan KHF Ferizaj. Po ashtu në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste, Ferizaj takohet me skuadrën nga Izraeli, Maccabi Arazim Ramat gan. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 20:15, ndërsa e dyta të dielën, nga ora 19:00.
Ferizaj për herë të katërt paraqitet në gara kontinentale. Gjashtë ndeshjet e deritashme i ka luajtur në udhëtim dhe të gjitha i ka humbur me rezultat të thellë. Me skuadrën izraelite ka vendosur të luajë në shtëpi dhe shpreson në suksesin e parë evropian.
Në hendboll është praktikë goxha e shpeshtë që dy ndeshje të luhen në një vend. Kjo bëhet me marrëveshje të klubeve, për të limituar shpenzimet.