Katër ndeshje të kupave evropiane, do të zhvillohen këtë vikend në Kosovë. Istogu dhe Ferizaj, do të përballen me kundërshtarët e tyre në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Kampioni në fuqi, Istogu do të luajë me ekipin nga Portugalia, SIR 1Maio/Ada ndërsa Ferizaj do të ketë punë me skuadrën nga Izraeli, Maccabi Haarazim Ramat.
Si Istogu, ashtu edhe Ferizaj, këto ndeshje i luajnë në Kosovë, përkatësisht palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe “Bill Clinton” në Ferizaj.
Ndeshja e parë i Istogut me ekipin portugez, do të luhet të shtunën prej orës 18:00, ndërsa e dyta, do të jetë të dielën, gjithashtu nga ora 18:00.
Ndërkohë, Ferizaj me Maccabin, duelin e parë do ta zhvillojë të shtunën nga ora 20:15, përpara se ndeshjen e kthimit ta luaj të dielën në orën 19:00. Të dy skuadrat kosovare, janë përgatitur dhe konsoliduar për të pasur sukses në Kupën Evropiane.