Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kastrioti kthehet në Evropë, dy ndeshje i luan në Graçanicë

Kastrioti i Ferizajt kthehet në garat evropiane në hendboll. Klubi me nam këtë fundjavë luan dy ndeshjet e raundit të parë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë kontinental. Përballë Kastriotit është skuadra nga Bosnjë-Hercegovina, Graçanica. Të dyja ndeshjet luhen në qytetin Graçanica, në afërsi të Tuzllës, në Bosnjë-Hercegovinë.

Sipas Federatës së Hendbollit të Kosovës, Kastrioti ka vendosur për dy ndeshjet në Bosnjë për shkak të punimeve në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Fakti që dy ndeshjet luhen në Graçanicë, e favorizon skuadrën vendase. Por ferizajasit kanë thënë se janë të gatshëm për ndeshjet e vështira. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 18:00, ndërsa e dyta të dielën në termin të njëjtë.

“Janë kryer të gjitha përgatitjet dhe ekipi është gati për ndeshjet. Ekipi është i përgatitur mirë dhe është një angazhim maksimal, me shpresë se do të kthehemi me fitore”, ka thënë kryetari i KH Kastriotit, Faton Hasani.

Kastrioti ka trajner nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ka angazhuar edhe disa lojtarë nga ky vend. Ka kthyer në skuadër lojtarët si Beni Syla, Lulzim Shabani e Festim Mustafa, që ishin te Prishtina.

Kastrioti ka përvojë të gjatë në Evropë, por vetëm një herë ka kaluar kundërshtar. Në tetor të vitit 2018 e kaloi Tallinin e Estonisë në raundin e dytë të Challenge Cup, që tani njihet si Kupa Evropiane. Së fundi në gara kontinentale, Kastrioti ka garuar në vitin 2019. Pra, kthehet në skenën evropiane pas tre vjetësh.

Edhe Kastrioti kërkon suksesin ndaj ekipit nga Bosnjë-Hercegovina Sporte të tjera Kastrioti kërkon suksesin ndaj ekipit nga Bosnjë-Hercegovina

Edhe Graçanica ka përvojë në gara evropiane. Vlerësohet klub i organizuar dhe cilësor. Në edicionin 2020/2021 të Kupës Evropiane arriti deri në një të tetën e finales.

“Për shkak të punimeve në palestrën në Ferizaj, përfaqësueset e Kastriotit janë pajtuar që dy ndeshjet t’i luajmë në Graçanicë. Kjo assesi nuk do të thotë që mysafirët vijnë me flamur të bardhë, përkundrazi. Jemi të bindur që do të bëjnë çdo gjë që të plasohen në raundin tjetër ku i pret skuadra Baki nga Azerbajxhani”, ka shkruar klubi Graçanica.

Besa Famgas e Rahoveci e nisin garimin prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Te hendbollistet në nivel të njëjtë garojnë Istogu e Ferizaj.