Përvoja e Kastriotit në gara evropiane ka zgjatur shkurt – një fundjavë. Skuadra ferizajase e hendbollit të shtunën e të dielën është përballur me skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, Graçanica, ndërsa ka pësuar dy humbje të thella.
Kështu Kastrioti është ndalur që në raundin e parë të Kupës Evropiane, ndonëse ka premtuar gjëra të mëdha për këtë edicion.
Kastrioti në asnjë moment nuk e ka rrezikuar fitores e Graçanicës, që kishte përkrahjen e shikuesve në të dyja ndeshjet.
Me marrëveshje të dy klubeve, të dy ndeshjet janë luajtur në Graçanicë të Bosnjë-Hercegovinës. Nga Kastrioti kanë thënë se dy ndeshjet i kanë luajtur në Bosnjë për shkak të rinovimit të palestrës në Ferizaj.
Të shtunën Graçanica fitoi me rezultatin 36:22. Me rezultat të njëjtë skuadra boshnjake fitoi edhe të dielën.
Festim Mustafa e Kirstijan Anastasovski shënuan nga pesë gola për Kastriotin. Katër gola i shënoi Lulzim Shabani. Te Graçanica, Nikola Jeremiq i shënoi dhjetë gola, ndërsa nëntë i kishte Azer Musiq.
Edhe
Kastrioti e humb thellë ndeshjen e parë në Bosnjë-Hercegovinë
Kastrioti është kthyer pas tri vjetësh në gara evropiane. Vetëm një herë kjo skuadër ka kaluar kundërshtar evropian.
Në Kupën Evropiane për hendbollistë paraqiten edhe Besa Famgas e Rahoveci. Këto dy skuadra e fillojnë garimin prej raundit të dytë. Te hendbollistet, Istogu e Ferizaj paraqiten, po ashtu, në Kupën Evropiane që është niveli i tretë evropian.