Kastrioti i Ferizajt e ka humbur thellë ndeshjen e parë të rrethit të parë të Kupës Evropiane në hendboll. Të shtunën në Graçanicë të Bosnjë-Hercegovinës, Kastrioti humbi nga skuadra vendase, Graçanica, me rezultatin 36:22. Ky rezultat e bën ndeshjen e dytë thuajse formalitet.
Ndeshja e dytë luhet të dielën nga ora 18:00 po në Graçanicë. Dy skuadrat janë pajtuar që ndeshjet të luhen në qytetin boshnjak.
Skuadra e Graçanicës, e përkrahur zëshëm nga tifozët, ka nisur shkëputjen herët në ndeshje, ndërsa Kastrioti ka pasur telashe ta thyejë mbrojtjen e fortë të rivalit. Dallimi në cilësi ishte evident dhe këtë e dëshmon edhe rezultati.
Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti. Ai shënoi shtatë gola nga 11 tentime. Shpëtim Mehmeti i shënoi katër gola nga nëntë tentime, ndërsa Jeton Bislimi kishte tri gola nga katër tentime.