Erjon Kastrati ka udhëhequr Golden Eagle Yllin drejt titullit të kampionit të Kosovës në basketboll. Por Kastrati nuk do të mund ta ndihmojë Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen thuajse vendimtare të rundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Kosova më 30 qershor takohet me Danimarkën. Ndeshja luhet në Naestved të Danimarkës. Selektori i Kosovës, Christos Marmarinos, të enjten shpalli listën me emrat e 14 lojtarëve të ftuar, ndërsa pjesë e saj nuk është Kastrati.
Ai ka shfaqur formë të lartë gjatë edicionit me Yllin, ndërsa ishte vendimtar në serinë finale të plejofit ndaj Trepçës. Por ngarkesa e vazhdueshme në një edicion të gjatë i ka sjellë telashe në gju. Dhe kjo ia pamundëson që të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjen ndaj danezëve.
“E kam një problem me gju, të cilin nuk kam mundur ta rikuperoj gjatë edicionit. Më duhet që të kem kujdes më shumë, të bëj terapi dhe ushtrime. Kam qenë i detyruar që të lëshoj këtë grumbullim me Kosovën, fatkeqësisht”, ka thënë Kastrati për KOHËN, të enjten.
Ai nuk do t’i nënshtrohet ndonjë operimi.
“Operim nuk ka nevojë. Por duhet kujdes i shtuar, pushim, terapi, ushtrime. Tajmingu ishte i keq, pasi edicioni ishte i gjatë”, ka shtuar Kastrati. “Por duhet të merrem me këtë shqetësim, pasi mund të më nxjerr telashe”.
Kosova nuk është në pozitë të mirë në këto parakualifikime dhe kontributi i Kastratit do të ishte shumë i vlefshëm. Kosova e ka humbur ndeshjen e parë në udhëtim nga Norvegjia (86:77), para se të fitonte në shtëpi ndaj Danimarkës (78:73). Këto dy ndeshje janë luajtur në nëntor. Ndërkohë më 27 shkurt në Mitrovicë, Kosova humbi nga Norvegjia me rezultatin 95:92. Më 24 shkurt, danezët kishin fituar 84:68 ndaj Norvegjisë.
Norvegjia udhëheq në grup me dy fitore e një humbje. Kosova është e dyta me një fitore e dy humbje, ndërsa Danimarka e treta me një fitore e një humbje. Për Kosovën ndeshja e 30 qershorit është e fundit. Ndërkohë Danimarka më 3 korrik luan në udhëtim ndaj Norvegjisë. Danezët në fakt llogariten favoritë për pozitën e parë dhe avancim tutje në rundin e dytë të parakualifikimeve. Kosova shpreson në pozitën e dytë. Përfaqësuesja e dytë më e mirë prej tri grupeve avancon po ashtu.
Te Kosova për herë të parë janë ftuar Amin Hot, Etnik Peci e Ardit Pepaj. Ndërkohë në listën e gjerë nuk është ndonjë prej amerikanëve të natyralizuar.
Sa i përket Kastratit, pas një edicioni të suksesshëm, ai është në listën e dëshirave të disa skuadrave. Ylli synon ta vazhdojë bashkëpunimin me të, ndërsa Trepça synon ta transferojë. Por në garë janë edhe skuadra të tjera.
“Ende nuk kam vendosur asgjë. Besoj që do të vazhdoj në Kosovë”, ka theksuar Erjon Kastrati.
Lista e basketbollistëve të ftuar
Valon Bunjaku, Amin Hot, Etnik Peci, Dardan Berisha, Mikaile Tmushiq, Altin Morina, Meriton Ismaili, Ardit Pepaj, Drilon Hajrizi, Muhamedali Janjeva, Rron Ukaj, Samir Zekiqi, Gëzim Morina, Fisnik Rugova