Real Madridi mund të mos arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve, por Karim Benzema ia ka dhënë ekipit spanjoll edhe një rast, me golin e shënuar kundër Chelseat, duke dëshmuar se gjithçka është e mundur. Me golin e realizuar në ndeshjen që mund të ishte fituar nga Chelsea, që u tregua ekip superior në përgjithësi, Benzema edhe njëherë ka treguar se sa i vlefshëm është për Realin. Dueli i parë gjysmëfinal i Championsit mes Realit e Chelseat përfundoi 1:1 në Madrid, kurse finalisti do të mësohet javën e ardhshme në Londër. Në fakt, goli i sulmuesit francez ka bërë që në Madrid të besojnë se mund ta prekin finalen e Stambollit dhe ta synojnë trofeun e 14-të të kësaj gare elitare të Evropës. E, nëse Reali kualifikohet në finale, atëherë Benzema do të jetë më i merituari për këtë arritje.
“Benzema mori përgjegjësinë për ta ringjallur besimin e një ekipi që dukej i lodhur”, shkroi ndër të tjerash të mërkurën “El Pais”.
Ndërkohë, gazeta “Marca” shtoi: “Nuk ka dyshime të mbetura se Benzema i përket klasës më të dalluar të futbollistëve”, derisa “AS” shkroi: “Ai e zgjoi ekipin”.
Kur Benzema e nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e Lyonit, u detyrua ta mbante një fjalim iniciues në një darkë skuadre dhe 20-vjeçari kokëfortë u dha zemër disa prej lojtarëve të vjetër, duke u thënë që së shpejti do t’ua zinte vendin në përbërjen e parë. Trembëdhjetë vjet më vonë, Benzema është golashënuesi i katërt më efikas në historinë e Ligës së Kampionëve. Ai ka 71 gola, sa i ka edhe legjenda e Realit Raul Gonzalez, derisa mbetet prapa Cristiano Ronaldos (134 gola), Lionel Messit (120) e Robert Lewandowskit (73). Nëse njohja për francezin ka ardhur vonë, kjo është pjesërisht sepse Benzema ka kursyer më të mirën e tij për në fund. Në fakt, Benzema është shndërruar në qendërsulmuesin më të rrezikshëm në Evropë. Benzema muajin e kaluar siguroi barazimin kundër Atletico Madridit (1:1) në fund të ndeshjes, për ta mbajtur Realin në garë për titullin e kampionit në La Liga dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe ndaj Chelseat, duke mbajtur shpresat gjallë për triumf në Ligën e Kampionëve.
“Asgjë nuk më habit për Karimin. Ai është sulmuesi ynë kryesor, që na mban në garë për trofe”, ka pranuar trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, që e zëvendësoi Benzeman në minutën ‘90.
Edhe
Zyrtare, Benzema largohet nga Real Madridi
Ndërkohë, Benzema këtë sezon ka shënuar gjashtë gola në Ligën e Kampionëve, derisa në La Liga ka realizuar 21 gola. Në total, sulmuesi 33-vjeçar ka 28 gola e shtatë asistime në 40 paraqitje në të gjitha garat. Krahas Ligës së Kampionëve, Real Madridi këtë edicion është në garë edhe për ta mbrojtur titullin e kampionit në La Liga.
“Në ndeshje të tilla, gjithmonë në skenë del Karimi. Goli i tij ishte vendimtar dhe besoj se do të na ndihmojë shumë në ndeshjen e kthimit. Synimi është që të luajmë në finale”, ka thënë qendërmbrojtësi i Realit, Raphael Varane.