Sport

Kapitenja Erëleta Memeti: Kosova po rritet

Udhëtim të gjatë kanë bërë të dielën futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës. Ato kanë udhëtuar për në Poloni, ku e kanë ndeshjen e fundit në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

E gjatë është edhe rruga për të arritur në nivel serioz ndërkombëtar. Për këtë është e vetëdijshme kapitenja e Kosovës, sulmuesja Erëleta Memeti. Memeti është lojtare e Bundesligës dhe e di që ngritja e Përfaqësueses është graduale. Por, sipas saj, e rëndësishme është që ecja të jetë pozitive.

Kosova të enjten fitoi 2:1 ndaj Armenisë. Ndaj Armenisë, Kosova ishte favorite e madhe. Por fitoi me shumë mund dhe me gol në minutën e 87-të. Realizatore e golit të fitores ishte pikërisht Erëleta Memeti.

“Na është dashur kjo fitore. Ishte vështirë, nuk e ka dashur shumë. Kemi goditur disa herë shtyllën dhe nuk kishim qetësi para portës kundërshtare. Por pasi shënuam autogolin, disi jemi zgjuar. Kemi shfaqur mentalitet deri në fund dhe kemi fituar. Për mentalitetin tonë ishte shumë mirë reagimi që kishim. Për ndeshjen me Poloninë kishim pak kohë në dispozicion, por mendoj se edhe kjo ndeshje do të na ndihmojë që të zhvillohemi. Jam e bindur se do të luajmë më mirë se në ndeshjen e kaluar me Poloninë. Polonia ka ekip të mirë, por i dimë pikët e dobëta dhe të forta të kësaj përfaqësueseje. Nëse iu përmbahemi detyrave taktike deri në fund, atëherë do të jetë në rregull”, ka thënë Erëleta Memeti për KOHËN.

Ajo ka shënuar gola në dy ndeshjet e fundit të Kosovës. Realizoi dy gola në fitoren 4:0 ndaj Maqedonisë së Veriut më 27 qershor. Dhe shënoi golin e fitores ndaj Armenisë, të enjten.

Ndeshja Poloni – Kosovë zhvillohet të martën në Lublin. Në Prishtinë, më 25 nëntor të vitit të kaluar Polonia kishte fituar 2:1.

Polonia është e treta në grup me 17 pikë nga nëntë ndeshje, ndërsa Kosova është e parafundit (e pesta) me shtatë pikë. Me shumë mundësi në këtë pozitë edhe do të përfundojë kualifikimet.

“Jemi duke bërë hapa të vogël. Por janë hapa përpjetë. Jemi duke shkuar përpara. Është me shumë rëndësi që hapat e vegjël janë përpara. Tani po e mbyllim një cikël, ndërsa në ciklin tjetër që është për Evropian, natyrisht synojmë më shumë. Varet shumë edhe nga grupi që do të kemi. Por shpresoj që do të kemi fat dhe do të arrijmë më shumë. Profesionalizmi po rritet vazhdimisht. Janë ndoshta gjëra të vogla, por që profesionalizmin po e rrisin gradualisht. Kjo është me rëndësi”, ka shtuar Memeti.

Së fundi në Përfaqësuese janë bashkuar edhe disa lojtare të reja. Valentina Metaj është dalluar. Ajo realizoi gol ndaj Armenisë. Metaj është 17-vjeçare dhe luan në kategorinë e dytë të Suedisë.

“Çdo lojtare e re që vjen sjell diçka të re, sjell kreativitet në ekip. Për shembull Valentina Metaj luan ndryshe nga ne lojtaret që ishim më herët në ekip. Secila lojtare që vjen nga klubet evropiane apo klubet kosovare sjell diçka të re. Dhe kështu bëhemi ekip më i kompletuar. Unë jam optimiste se me këtë grup lojtaresh dhe me të tjera që mund të vijnë, do të bëjmë gjëra të mira”, thotë Erëleta Memeti.