Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kante bëhet pronar i një klubi të vogël në Belgjikë

Pak ditë pasi e konfirmoi transferimin e tij në Arabinë Saudite, mesfushori N’Golo Kante ka bërë një investim befasues. Kampioni i botës me Francën, e ka blerë ekipin Royal Excelsior Virton, i cili bën gara në kategorinë e tretë të Belgjikës.

Kjo është konfirmuar edhe nga klubi belg të enjten, që ka bërë një postim me mbishkrimin: “Qytet i vogël, ëndrra të mëdha!”.

Kante, i cili javë më parë e kompletoi transferimin e tij te kampioni i Arabisë Saudite, Al-Ittihad ka zëvendësuar sipërmarrësin Flavio Becca që ishte pronar i klubit nga qyteti që është në kufi me Francën.

Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura, por te klubi francez presin ditë më të mira me ardhjen e Kantes.

“I shtyrë nga pasioni i tij për futbollin, qëllimi i N'Golo Kantes është të vazhdojë strukturimin e klubit me synimin për të konsoliduar themelet e tij, stabilizimin e stafit dhe përfundimisht ringjalljen e traditës së RE Virton të stërvitjes përmes akademisë të rinjve”, ka shkruar klubi.

Kante ka firmosur kontratë trevjeçare me Al-Ittihadin, ku në total do t’i përfitojë më shumë se 100 milionë euro. Ai e fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018, Ligën e Kampionëve me Chelsean në vitin 2021 dhe ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë në Premier League në vitet e fundit. Kante, gjithashtu ka edhe dy tituj kampioni të Anglisë, me Chelsean dhe Leicester Cityn.