Sport

Kampionia olimpike nga Sllovenia po stërvitet në Pejë

Shtatë kampione aktuale olimpike janë në sportin e xhudos. Dy prej tyre janë stërvitur të mërkurën pasdite në Pejë.

Pos Majlinda Kelmendit, në sallën e vogël të klubit Ippon, prej fillimit të javës po stërvitet edhe sllovenia, Tina Trstenjak. Në “Rio 2016” Majlinda fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse Tina Trstenjak në kategorinë deri 63 kilogramë.

Është hera e parë që një kampione olimpike nga një vend tjetër stërvitet në Kosovë. Në fakt qëndrimi i Trstenjakut në Pejë vetëm dëshmon për nivelin që ka arritur xhudoja kosovare dhe për respektin që ka në botën e xhudos trajneri Driton Kuka.

Trstenjak nuk është e vetmja që ka zgjedhur të përgatitet në Pejë për Kampionatin Evropian që mbahet në Pragë prej 19 deri më 21 nëntor.

Së bashku me xhudistët kosovarë po ushtrojnë edhe xhudistet e përfaqësueses së Turqisë, si dhe xhudiste të nivelit më të lartë nga Sllovenia, Bullgaria e Çekia.

“Është hera e parë që jam në Kosovë. Por, në fakt ne e njohim njëri-tjetrin tash e një kohë të gjatë, sepse ata vijnë në klubin tim për të stërvitur me ne. Jam shumë e lumtur dhe e kënaqur që jam këtu. Gjithçka është mirë. Ata japin më të mirën në stërvitje. Kalojmë kohë të mirë dhe gjithçka shkon në mënyrë të planifikuar”, ka thënë Trstenjak për KOHËN.

“Jam këtu për përgatitje për Kampionatin Evropian. Këtu bëj shumë sparingje. Me ekipin e Kosovës dhe të Turqisë, si dhe me xhudistë të Bullgarisë e Republikës Çeke. Është e vështirë për të thënë diçka para Kampionatit Evropian, sepse asnjëherë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Një sekondë dhe mund të eliminohesh. Do të mundohem ta bëj më të mirën dhe të bëj xhudo të mirë me luftëra të mira, si dhe të jem më e mira”, ka shtuar ylli i xhudos sllovene.

Natyrisht ajo ka fjalët më të mira për ekipin e Kosovës.

“Ekipi i xhudos së Kosovës, sipas mendimit tim, është njëri prej më të fortëve në botën e xhudos. Kemi shoqëri të mirë. Kalojmë shumë kohë duke stërvitur së bashku. Ato janë shumë të forta, me teknikë shumë të mirë. Mendoj se Toni është trajner shumë i mirë dhe ato janë gjithmonë mirë të përgatitura në çdo garë”, ka theksuar Trstenjak.

Disa javë para Evropianit, për xhudistet është me rëndësi që të kenë luftëra të forta në stërvitje. Për Trstenjakun dhe xhudistet e tjera nga Turqia, Sllovenia, Bullgaria e Çekia, luftërat e forta ofrohen në sallën ku ushtrojnë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu dhe xhudistet e tjera.

Në stërvitjen e së mërkurës ka pasur shumë luftëra të forta. Xhudistet kanë dhënë më të mirën, ndërsa kanë ndërruar nga disa kundërshtare gjatë stërvitjet.

Edhe për xhudistet kosovare është me rëndësi të kenë sparing të fortë. Për të mundësuar këtë ekipi kosovar i xhudos qëndroi për disa javë në Turqi, ndërsa tani është përfaqësuesja turke që po qëndron në Kosovë.

Plot 14 xhudiste të përfaqësueses së Turqisë, më të mirat e këtij vendi, po qëndrojnë aktualisht në Kosovë. Trajneri i Turqisë, Erxhan Çakiroglu, ka folur për raportet shumë të mira me ekipin kosovar të xhudos.

Ai ka thënë se me xhudistët kosovarë janë si një familje.

“Kemi filluar bashkëpunimin me xhudistët kosovarë 10 vjet më parë. 10 vjet jemi së bashku. Kontakti nisi nga klubi im Galatasaray që është shumë i famshëm në Turqi. Unë kam ardhur para 10 vjetësh për herë të parë. Toni më ka folur për Majlindën dhe Norën. Më pas ato nisën të garojnë për klubin tonë, Galatasarayn. Nëntë herë kemi fituar medalje në Ligën e Kampionëve, dy herë të artën, shtatë herë të bronztën. Jemi familje. Jemi familje me Tonin, Majlindën. Kam ardhur ndoshta 20 herë këtu dhe për mua, Toni është trajneri numër një në botë. Kam respekt të madh për Tonin, po ashtu për Majlindën, kampionen olimpike, Norën, Akilin, Lorianën, Distrinë e të tjerët. Kosova ka një gjeneratë të mirë. Mund të fitojë tri-katër medalje në Tokio”, thotë Çakiroglu.

Para fillimit të stërvitjes, xhudistet kanë bërë një fotografi të përbashkët, me kërkesë të trajnerit Kuka. Të mërkurën ishte Dita Botërore e Xhudos dhe në shenjë të saj është bërë edhe fotografia.

Në fotografi ishin dy kampione olimpike, shumë kampione botërore e shumë më tepër kampione evropiane.

Para stërvitjes dhe pas saj, xhudistet janë parë të buzëqeshura. Atmosfera ishte e relaksuar. Ndryshe ishte në stërvitje e në luftëra. Pos respektit që e karakterizon xhudon, xhudistet kanë dhënë maksimumin për të shfaqur vlerat që kanë. Në ndonjë luftë edhe mund të jetë taktizuar, por shumica ishin shumë të forta. Të gjithë ishin të kënaqur me punën që po bëhej në palestrën e Ipponi, shtëpinë e shumë kampioneve.

Trajneri Driton Kuka ka treguar se xhudiste tjera priten ditëve të ardhshme. Ndërkohë prej vitit të ardhshëm numri i xhudistëve të huaj që do të qëndrojnë në Pejë do të jetë dukshëm më i madh.

“Në pranverë presim të hapet qendra nacionale e xhudos. Më pas Peja me të vërtetë do të shndërrohet në qendër të rëndësishme të xhudos evropiane”, ka theksuar Kuka.

Ai ka treguar se për shkak të hapësirës së vogël është dashur të refuzojë ekipin e Britanisë së Madhe me 28 xhudistë. Por prapë salla ishte e mbushur me xhudistë.

Shumë prej xhudistëve që të mërkurën janë stërvitur në Pejë, pritet të jenë në podium, në Evropianin në Çeki. Disa prej tyre do të jenë nga Kosova. Nora, Distria, Loriana e Akili janë pretendentë për medalje evropiane.