Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kampionia e Evropës përkrah futbollin amator

Kampionia e Evropës, Portugalia, do të dhurojë gjysmën e parave të fituara për kualifikimin në Euro 2020 për të përkrahur futbollin amator.

Kjo është bërë e ditur të hënën nga Federata e Futbollit të Portugalisë. Euro 2020 është shtyrë për vitin e ardhshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Në frymë të miqësisë në mes të futbollit profesional dhe atij jo profesional, kemi vendosur që si ekip të heqim dorë nga një pjesë e shpërblimit financiar për kualifikim në Euro 2020”, thuhet në një komunikatë të përfaqësueses së Portugalisë.

“Ne po ashtu kemi vendosur - pasi nuk kemi harruar rrugën tonë dhe të gjitha ata që na kanë ndihmuar për të bërë përparim në karrierën tonë – që këtë shumë ta dhurojmë për fondin përkrahës të krijuar tashmë nga Federata e Futbollit të Portugalisë. Ky fond synon përkrahjen e klubeve jo profesionale”.

Ekipi portugez nuk ka bërë të ditur vlerën e donacionit. Por fondi përkrahës pritet të sigurojë 4,7 milionë euro për asociacionet regjionale dhe klubet amatore.

Thuajse i gjithë futbolli evropian është pezulluar për shkak të koronavirusit. Portugalia ka raportuar 17 mijë të prekur dhe 535 të vdekur. Liga portugeze është pezulluar më 12 mars.

Të dielën Sportingu u bë ekipi i parë i madh portugez që njoftoi për ulje të pagave për lojtarët për 40 për qind.

Artikuj të ngjashëm