Kampioni në fuqi i turneut “US Open”, Dominic Thiem, do të mungojë në turneun e sivjetmë për shkak të dëmtimit të kyçit të dorës. Ai madje thuhet se do të jetë i gatshëm vetëm në vitin 2022.
27-vjeçari e mori lëndimin në “Mallorca Open” në muajin qershor, ndërsa u tërhoq nga gara e “Wimbledonit” dhe Olimpiada e Tokios. Numri gjashtë i botës, Thiem, e fitoi grand-slamin e parë në “Flushing Meadows” vitin e kaluar, pasi mposhti Alexander Zverevin në pesë sete, por nuk do ta ketë rastin ta mbrojë titullin sivjet në New York.
“Edhe pse e kam kaluar një javë në arena, ende ndjej dhimbje në kyçin e dorës dhe e kam ditur se nuk do të jem 100% i gatshëm për lojë”, ka shkruar Thiem në “Twitter”. “Jam takuar me mjekët dhe kemi vendosur për një trajtim serioz, duke i dhënë më shumë kohë për shërim. Jam shumë i dëshpëruar që nuk do të jem në gjendje ta mbroj titullin në US Open, por edhe që do të jem jashtë arenave në tërë sezonin”, përfundoi ai. Në grand-slamin e “US Open” nuk do të jetë as Roger Federer. Kjo garë mbahet nga 30 gushti deri më 12 shtator.